Salla të hënën u mbush plot.
Të gjithë këta, erdhën për ta dëgjuar fjalën e fundit të gjykatës, për të akuzuarin për krime lufte, Milorad Gjokoviq.
Por, ajo që u mendua se do të jetë e fundit, doli të jetë një fillim i ri.
Kjo meqë Gjykata Themelore në Prishtinë, vendosi të rihapet shqyrtimi gjyqësor kundër serbit të akuzuar për krime lufte në Ozdrim të Pejës.
“Andaj në bazë të nenit 7 të Kopdit të Procedurës Penale me datë 27 korrik merr këtë aktvendim shqyrtimi gjyqësor ndaj Milorad Gjokoviq i përfunduar me 21 korrik hapet sërish, data e shqyrtimit do të bëhet në koordinim me palët”, ka thënë Shala Avdyli.
Tutje, kryetarja e trupit gjykues, Donikë Shala – Avdyli, lexoi arsyetimin për këtë vendim.
“Duke vepruar në bazë të kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarve, gjykata ishte e drejtuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë për të kërkuar deklaratën e dëshmitares Nurije. Në përgjigje të kësaj kërkese, instituti kishte njoftuar se nuk e posedon një deklaratë të tillë. Trupi gjykues me rastin e analizimit të lëndës ka vlerësuar se, me qëllim të sqarimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, është e nevojshme rihapja e shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë tutje Shala Avdyli.
Po ashtu, ajo theksoi se nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove.
“Është e nevojshme që të kërkohet ekzistimi i saj pranë stacionit policor në Pejë dhe, sipas nevojës, edhe pranë institucioneve ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë pas luftës, si UNMIK dhe EULEX, në mënyrë që vendimi përfundimtar të mbështetet në një administrim sa më të plotë të provave. Nëse gjykata nuk e siguron këtë dëshmi dhe varësisht nga gjetjet, dëshmitarja Nurije Krasniqi mund të ftohet të dëgjohet përsëri në gjykatë”, theksoj tutje Shala Avdyli.
Por, ky vendim i gjykatës, zhgënjeu ata që thonë se i panë nga afër krimet e Milorad Gjokoviq.
“Mua nuk më ka dhënë procesverbal që janë mbajt prej 8 të 2022-ës e ditën e sotit. Kam dyshim të madh që atje krejt diçka tjetër është shkruar, këtu është bërë krejt një pyetje tjetër… Mbas kësaj që e ka lëshuar kryetari i trupit gjykues Valon Kurti që është ardh kjo kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala Avdyli, kjo ka filluar me na i dhënë ato procese për çdo për çdo seancë që është mbajtur. Jam i gatshëm çdo kohë, çdo moment që ballafaqohemi me drejtësinë dhe vetëm të drejtën. Presim që të japë dënimin e merituar, Dënim maksimal. E kemi pritë sot, ku jemi? Çka është kjo?”, u shpreh Gashi
Ndryshe, sipas aktakuzës, Gjokoviq dyshohet se gjatë viteve 1998-99, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra të tjera të këtij regjioni, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në krime luftë kundër popullatës civile.
Aty thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim, përmes rrugës regjionale Pejë–Mitrovicë, kishin hyrë forcat e rregullta ushtarake, ndërsa nga ana perëndimore e fshatit, në drejtim të fshatit Vitomiricë, kishin hyrë grupe paramilitare të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.
Sipas aktakuzës, këto forca kishin filluar të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç’rast ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë.

