Mbetje eshtërore të tre personave janë gjetur në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ndërsa dyshohet se mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, mbetjet janë gjetur më 14 gusht 2026 nga njësitë përkatëse policore.
Pas ekzaminimit fillestar, eksperti mjeko-ligjor ka konstatuar se bëhet fjalë për mbetje me prejardhje njerëzore dhe me interes forenzik.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa mbetjet pritet t’i nënshtrohen procedurave të mëtejshme forenzike për të përcaktuar identitetin dhe rrethanat e rastit.
“Fsh. Kalludër, Zubin Potok / 19.04.1999 – NN. Me datën 14.08.2026 njësitë përkatëse policore kanë gjetur mbetjet eshtërore të tre (3) individëve, të cilat sipas ekspertit mjeko-ligjor janë me prejardhje njerëzore dhe janë me interes forenzik. Mbetjet eshtërore dyshohet që janë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë./teve1.info/

