Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka takuar kryesuesin e ri të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Rrustem Thaqi, me rastin e marrjes së detyrës së re.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërvalla ka thënë se forcimi i koordinimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë është i rëndësishëm për funksionimin efikas të sistemit dhe rritjen e besimit të qytetarëve.
“Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, takuam Kryesuesin e ri, z. Rrustem Thaqi, me rastin e marrjes së detyrës”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të drejtësisë mbetet një nga shtyllat kryesore për një sistem më funksional.
“Forcimi i koordinimit institucional dhe funksionimi i pandërprerë i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë mbeten shtylla kyçe të një sistemi që synon standarde më të larta të efikasitetit dhe besueshmërisë publike”, ka deklaruar ajo.
Sipas Gërvallës, avancimi i reformave në drejtësi duhet të vazhdojë përmes forcimit të kapaciteteve dhe përmbushjes së përgjegjësive institucionale.
“Përkushtimi i përbashkët për avancimin e reformave në drejtësi, në përputhje me zotimet dhe përgjegjësitë institucionale, përmes thellimit të reformave dhe forcimit të kapaciteteve, mbetet thelbësor për garantimin e zbatimit të qëndrueshëm të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, në funksion të parimit se kur ligji sundon, Republika fiton”, ka shkruar Gërvalla.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë ka bërë të ditur se bashkë me zëvendësministrin Nimoni e kanë uruar Thaqin për detyrën e re.
“Kryesuesin e ri të KGJK-së, z. Thaqi, bashkë me zëvendësministrin Nimoni e uruam për detyrën e re dhe i dëshiruam suksese në ushtrimin e përgjegjësive të tij institucionale”, ka shtuar Gërvalla.

