Është rruga që të çon në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut.
E prej disa ditësh, kjo zonë është kthyer në qendër të gërmimeve për një varr masiv.
Kjo pas gjetjes së mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
E këtë të diel, megjithëse ditë pushimi, punimet në terren vazhduan.
Ndërkohë, autoritetet ligjzbatuese arrestuan edhe një person në Zubin Potok të dyshuar për krime lufte.
“Lidhur me rastin ‘krime të luftës’ në komunën e Zubin Potokut, Policia e Kosovës-Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar edhe një person të dyshuar me inicialet J.R. I dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Arrestimi i të dyshuarit është rezultat i një pune intensive hetimore, të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës”, njoftoi Prokuroria Speciale.
J.R është personi i tretë i arrestuar në kuadër të këtij rasti.
Ndërkohë që, dy të dyshuar të tjerë tashmë ndodhen në paraburgim, po ashtu nën dyshimin për krime lufte.
E sipas Policisë së Kosovës, njëri prej tyre kishte qenë pjesëtar aktiv i Armatës Jugosllave.
Gërmimet në Kalludër të Vogël nisën pas një hetimi rreth dyvjeçar
Në këtë lokacion dyshohet se mund të ndodhen mbetjet mortore të 23 personave, të njohur si “grupi i intelektualëve” nga rajoni i Mitrovicës, të rrëmbyer më 19 prill 1999.
Megjithatë, për numrin e mbetjeve mortore që mund të gjenden në këtë lokacion, Prokuroria Speciale thotë se është ende herët për të dhënë vlerësime.
“Dëshirojmë, ju lusim për mirëkuptim dhe për shmangie të çfarëdo raportimi të pakonfirmuar nga institucionet kompetente. Ende është herët të flitet në këtë fazë me numra, pra duhet të presim të gjitha verifikimet dhe analizat e nevojshme për të ardhur deri te një rezultat i tillë. Në momentin që do të kemi të drejtë pra nga aspekti ligjor të japim informacione, publiku, ju mediat do të keni qasje që të keni informacione në të gjithë procesin hetimor. Por deri në këtë fazë kërkojmë mirëkuptim”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Ndërkohë sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1 mijë e 577 persona vazhdojnë ende të figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999.

