Gjenerali në pension i Ushtrisë së Serbisë, Stojan Stojanoviq, është thirrur sërish për t’u paraqitur në lidhje me një procedurë për krime lufte, ndërsa ai pretendon se të dhënat e tij personale i janë dorëzuar institucioneve të drejtësisë në Kosovë nga dikush brenda aparatit shtetëror serb.
Sipas deklaratave të tij, ai dyshon se dikush nga strukturat shtetërore ka siguruar adresën dhe të dhënat e tij, të cilat më pas kanë përfunduar te autoritetet gjyqësore të Kosovës.
“Dikush nga aparati shtetëror ua ka dhënë të dhënat e mia drejtësisë në Prishtinë”, ka deklaruar Stojanoviq, duke ngritur dyshime se informacionet për ish-pjesëtarët e forcave serbe po kalojnë nga institucionet në Serbi drejt autoriteteve kosovare, shkruan kossev.
Ndaj disa ish-zyrtarëve ushtarakë, policorë dhe të sigurisë serbe janë ngritur procedura në Kosovë për dyshime për krime lufte gjatë konfliktit të vitit 1999.
Në disa raste, proceset po zhvillohen ose janë paraparë të zhvillohen në mungesë, pasi të akuzuarit ndodhen jashtë juridiksionit të Kosovës.
Çështja e mënyrës se si ftesat gjyqësore nga autoritetet e Kosovës kanë arritur në adresat e ish-pjesëtarëve të forcave serbe ka shkaktuar debat në Serbi.
Autoritetet postare serbe kanë deklaruar se dërgesat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës kalojnë përmes qendrave ndërkombëtare të shkëmbimit postar dhe jo përmes një kanali të drejtpërdrejtë mes dy administratave.
Procedurat për krimet e luftës në Kosovë vazhdojnë të mbeten një nga çështjet më të ndjeshme mes Prishtinës dhe Beogradit, me palët që kanë qëndrime të kundërta lidhur me përgjegjësinë dhe trajtimin e rasteve gjyqësore. /Telegrafi/

