Avokatët e Anthony Faucit, ish-drejtorit të Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, kanë krijuar një fond të posaçëm për të mbuluar shpenzimet e tij ligjore, në kohën kur ai po përballet me disa hetime lidhur me vendimet dhe veprimtarinë e tij gjatë pandemisë COVID-19.
Sipas Reuters, fondi synon të mbulojë shpenzimet ligjore që pritet të jenë të konsiderueshme për shkak të disa hetimeve që po zhvillohen në SHBA.
Fauci, i cili për dekada drejtoi Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive dhe këshilloi shtatë presidentë amerikanë, është vënë në qendër të hetimeve të udhëhequra kryesisht nga republikanët mbi origjinën e COVID-19 dhe financimin e kërkimeve të lidhura me koronaviruset.
Senatori republikan Rand Paul ka kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë ndjekjen penale të Faucit, pasi ai refuzoi t’u përgjigjej më shumë se 100 pyetjeve gjatë një seance në Senat. Ndërkohë, hetime të veçanta janë nisur edhe nga prokurorë të përgjithshëm të tre shteteve amerikane.
Fauci ka mohuar se ka kryer ndonjë shkelje. Ai ishte falur paraprakisht nga ish-presidenti Joe Biden në janar të vitit 2025, ndërsa pretendimet se Fauci kishte rol në kërkimet që kontribuuan në pandeminë e më pas tentoi të fshihte origjinën e saj nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.

