Serbia ka mbetur në vend në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe politika e saj aktuale ndaj Perëndimit po ndikon negativisht edhe te fqinjët, ka deklaruar eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier. Sipas tij, Beogradi që nga shkurti i vitit 2022 nuk ka bërë asnjë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
Duke folur në HRT, Stier tha se Serbia nuk ka hapur apo mbyllur kapituj të rinj në negociatat me BE-në dhe e lidhi këtë stagnim me zgjedhjen gjeopolitike të Beogradit për të ruajtur marrëdhëniet me Rusinë, ndërsa njëkohësisht bashkëpunon me Perëndimin.
Sipas tij, kjo politikë paraqet problem jo vetëm për Serbinë, por edhe për vendet fqinje. Stier përsëriti se situata në Serbi është ajo që e shqetëson më së shumti kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor.
Një nga çështjet kryesore që, sipas Stierit, përcakton perspektivën evropiane të Serbisë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Ai tha se Serbia nuk është domosdoshmërisht e detyruar ta njohë formalisht Kosovën, por duhet të arrijë normalizim de facto të marrëdhënieve dhe të zbatojë obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.
Në këtë kuadër, Stier përmendi edhe pritjet ndaj të dyja palëve: Serbia të mos pengojë apo lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, sipas tij, asnjëra palë nuk i ka përmbushur plotësisht këto obligime.
Stier paralajmëroi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të tensionuara dhe se ekziston rreziku që situata të përshkallëzohet.
Eurodeputeti kroat e veçoi Malin e Zi si vendin e Ballkanit Perëndimor që aktualisht është më afër anëtarësimit në BE, duke theksuar përparimin e tij në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave.
Sipas tij, Mali i Zi mund të përfundojë negociatat gjatë mandatit aktual të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, pra deri në vitin 2029.
Stier përmendi edhe Shqipërinë, duke thënë se vendi ka ende punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Në anën tjetër, për Serbinë, ai tha se me politikën aktuale nuk pritet ndonjë lëvizje përpara.
Stier propozoi që, përtej anëtarësimit të plotë, vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen gradualisht në politika dhe tregje të BE-së.
Si shembull përmendi roamingun dhe mundësinë që vendet e rajonit të përfshihen më shumë në hapësirën evropiane pa pritur anëtarësimin e plotë.
Ai tha se zgjerimi i BE-së është rikthyer në agjendë veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë, por paralajmëroi se rruga nga statusi i kandidatit deri te anëtarësimi i plotë mbetet e gjatë.
The post Eurodeputeti Stier: Serbia ka ngecur në vend, shqetësimi kryesor mbetet situata atje dhe raportet me Kosovën appeared first on Gazeta Express.

