Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Skender Qengajt nga Dragashi, i dyshuar shantazh dhe ngacmim.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se nga muaji qershor 2025 e në vazhdimësi deri më 12.08.2026, në territorin e Komunës së Dragashit, në Prizren dhe përmes aplikacionit “WhatsApp” dhe rrjeteve sociale “TikTok” e të tjera, i pandehuri Skender Qengaj, me nofkën “Keli”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka kanosur të dëmtuarën.
Sipas dispozitivit të kërkesës, në kohën kur kishin filluar ngacmimet, e dëmtuara kishte qenë 17-vjeçare. Prokuroria pretendon se fillimisht i pandehuri i kishte dërguar mesazhe me përmbajtje ngacmuese dhe seksuale, duke i kërkuar që të kryente marrëdhënie seksuale me të. Pas refuzimit të saj, ai dyshohet se i ka dërguar një fotografi të marrë nga rrjetet sociale, duke e paraqitur sikur në atë fotografi ndodhej e dëmtuara.
Tutje, sipas Prokurorisë, i pandehuri në vazhdimësi e ka shantazhuar të dëmtuarën duke i kërkuar shuma të ndryshme parash dhe duke e kërcënuar se do t’ia dërgonte fotografinë babait, vëllait dhe familjarëve të saj, se do të shkonte në fshatin ku jeton dhe do të tregonte se ajo posedonte fotografi intime dhe se i kishte borxh para atij.
Në kërkesë përmenden edhe mesazhe që dyshohet se i pandehuri ia kishte dërguar të dëmtuarës, si: “ka me shku në shpi, ka me i tregu babës tond për qat foto”, “ka me i tregu vllavit tond”, “mundësisht ma kthe borxhin edhe nuk më sheh mo”, “po a e paje se une merrna me fajde” dhe “e dish ti t’shkyj”.
Sipas Prokurorisë, përveç kërkesave për para, i pandehuri i kishte bërë presion të dëmtuarës që ta mbante “premtimin” për takim dhe marrëdhënie seksuale. Nga frika se familja e saj do të njoftohej për pretendimet dhe materialet që ai thoshte se posedonte, e dëmtuara fillimisht i kishte dorëzuar 2 mijë euro, më pas edhe 2 mijë euro të tjera, si dhe 3 mijë euro shtesë.
Prokuroria pretendon se gjatë një periudhe rreth njëvjeçare, e dëmtuara i ka dorëzuar në mënyrë të përsëritur shuma të ndryshme parash, duke u detyruar të shiste arin e nënës së saj, si dhe të kërkonte para nga tezja në vlerë prej 3 mijë eurosh dhe nga familjarë të tjerë. Sipas pretendimeve, i pandehuri ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme në vlerë të përgjithshme prej rreth 50 mijë euro.
Me këto veprime, prokuroria vlerëson se Qengaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Shantazhi”.
Ndërkaq, në pikën e dytë të dispozitivit, Prokuroria pretendon se nga një datë e pavërtetuar deri më 12.08.2026, në Prizren, në territorin e Komunës së Dragashit dhe përmes rrjeteve sociale e aplikacionit “WhatsApp”, i pandehuri është përfshirë në sjellje të vazhdueshme dhe të padëshirueshme ndaj të dëmtuarës, me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit të saj.
Sipas kërkesës, ai vazhdimisht i ka dërguar mesazhe me përmbajtje seksuale, fyese dhe kërcënuese, duke i shkruar ndër të tjera: “ti duhet mua ose të kryesh marrëdhënie seksuale me mua”, “ta ha buzën”, “ama ti mos i luj fjalët me m’rrejt, po thu kena me dalë edhe mbaje fjalën”, “ok kur po takohemi se më ke dhanë fjalë”, “barem të mos poshtëroj”, “e dish ti t’shkyj”, si dhe duke kanosur edhe nënën e saj.
Prokuroria pretendon se i pandehuri ka vazhduar ta kontaktojë të dëmtuarën edhe pasi ajo i kishte kërkuar që të mos i shkruante më dhe të mos e pengonte, duke i shkaktuar frikë të arsyeshme dhe shqetësim të madh emocional.
Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “Ngacmimi”.
Prokuroria ka deklaruar se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në të dëmtuarën dhe dëshmitarët, si dhe rreziku që i pandehuri të përsëris veprat penale ose të vazhdojë presionin ndaj viktimës.
Për këtë arsye, i është propozuar Gjykatës Themelore në Prizren që ndaj Skender Qengajt të caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit, Kushtrim Muqaj, e kundërshtoi në tërësi kërkesën e prokurorisë, duke deklaruar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Avokati Muqaj ka deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme dhe bindëse që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se Qengaj ka kryer ose është involvuar në veprat për të cilat dyshohet.
Mbrojtësi deklaroi se çështja lidhet me një borxh për veshje.
Tutje, avokati Muqaj ka shtuar se pas kërkesave të vazhdueshme të bashkëshortes së Qengajt për shlyerjen e borxhit, i pandehuri ishte përfshirë në këtë çështje me qëllim që të ndihmonte në kthimin e mjeteve. Mbrojtësi tha se më pas e dëmtuara kishte deklaruar se do ta merrte përsipër obligimin dhe kishte kryer disa pagesa, ndërsa sipas tij, kishte mbetur për t’u kthyer edhe një shumë prej 50 eurosh.
Mbrojtja kundërshtoi gjithashtu pretendimet se i pandehuri mund të arratiset apo të pengojë rrjedhën e procedurës penale. Sipas avokatit, Qengaj ka adresë të njohur të banimit dhe nuk ka arsye apo interes për të ndikuar në zhvillimin e procedurës.
Avokati kërkoi që në vend të paraburgimit, ndaj të pandehurit të caktohet një masë alternative, përfshirë arrestin shtëpiak ose detyrimin për t’u paraqitur në stacion policor.
Edhe i pandehuri Skender Qengaj deklaroi se e mbështet në tërësi mbrojtësin e tij. Ai kërkoi që t’i caktohet arresti shtëpiak ose paraqitja në stacion policor, duke thënë se kujdeset për prindërit e tij të moshuar dhe invalidë, si dhe për familjen.
“Çfarëdo vendimi që të merrni, do ta respektoj me përpikëri”- deklaroi Qengaj, duke shtuar se rrezikon edhe vendin e punës si postier.
Vendimi i gjykatës pritet të përcaktojë nëse ndaj Qengajt do të caktohet paraburgimi apo një nga masat alternative të kërkuara nga mbrojtja./Kallxo.com
