Këtë të martë në Prishtinë me një seminar u festua 37-vjetori i themelimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ku themeluesi i kësaj lige, Joe DioGuardi, tha se ka qenë shumë e vështirë të merresh me çështjen shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
DioGuardi tha se arsyeja që ka kandiduar për tu bërë kongresist ka qenë pikërisht çështja shqiptare, e njerëzit e së cilës nuk mund ta kishin zërin e tyre.
“Një nga arsyet pse kandidova për Kongres ishte se po shqetësohesha gjithnjë e më shumë, nisur nga edukimi im katolik, që ky grup njerëzish të pafajshëm nuk mund të fliste për veten. Prandaj duhej të flisja unë për ta në Uashington. Sot më quajnë, së bashku me Shirley-n, babai dhe nëna e Kosovës. Nëse nuk do të kisha kandiduar për Kongres, ndoshta sot nuk do të kishte Kosovë. A e kuptoni këtë, apo po e ekzagjeroj?”, tha ai, raporton KosovaPress.
Miku i madh i Kosovës tha se nuk do ta shohin njerëzit kurrë këtu nëse kthehet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse klasa politike nuk arrin ta zgjedh një president.
DioGuardi po ashtu paralajmëroi klasën politike se duhet të shohin se serbët po mobilizohen, teksa tregoi edhe çfarë mesazhi do t’ia përcjellë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kur do ta takojë sot.
“Jam këtu sepse, Zoti na ruajt, nëse kthehem në Shtetet e Bashkuara dhe ne nuk kemi një president për Kosovën… Zoti na ruajt! Nuk do të më shihni kurrë të kthehem këtu nëse establishmenti politik – po flas për establishmentin politik tani, jo për njerëzit, jo për sistemin e drejtësisë – po flas për njerëzit që janë në krye politikisht këtu në Kosovë. Nëse nuk e shihni se çfarë po troket në derë tani, serbët po mobilizohen… Nuk e kisha menduar kurrë se do të riktheheshin në këtë mënyrë, por po rikthehen. Erdha këtu për t’u siguruar që Kosova të mos marrë fund. Por nëse nuk kemi një president nesër, Kosova ka marrë fund! Serbët po merren me këtë çështje pikërisht tani. Dhe u bëj thirrje të gjithë politikanëve të bëjnë kompromiset e nevojshme. Dhe shpresoj që t’ia përcjellim këto fjalë kryeministrit nesër, ose sot – nuk e di kur, nuk e di më as orarin tim”, tha DioGuardi, raporton KosovaPress.
E, për një kontribuues tjetër të madh për çështjen shqiptare, avokatin e specializuar në të drejtën penale, Steven Poëles, i cili ka qenë edhe avokat mbrojtës i ish-ushtarit të UÇK-së, Isak Musliut, në Tribunalin për Ish-Jugosllavi, i cili akuzohej për krime lufte kundër njerëzimit, fakti që Gjykata Speciale aktualisht po e ndjekë penalisht vetëm njërën palë, në këtë rast Kosovën, e jo edhe Serbinë, është skandaloze.
Dhe vetëm në këto pak çaste të fundit, do të them disa fjalë për procedurat që vazhdojnë aktualisht në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat po zhvillojnë gjykime në Hagë ndaj anëtarëve të UÇK-së për sjellje të pretenduar gjatë periudhës 1998–2000. Është i vetmi, me sa di unë, i ashtuquajtur tribunal penal ndërkombëtar dhe është ndërkombëtar sepse ka gjyqtarë ndërkombëtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë por është i vetmi tribunal ndërkombëtar në historinë e këtyre tribunaleve, me sa jam në dijeni, që ka ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit. Kjo është skandaloze, kur mendon për të.
Kurse, anëtari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe veprimtari i njohur, Agim Aliçkaj, kujtoi arritjen më të madhe të Lidhjes, e që sipas tij, kishte rëndësi të jashtëzakonshme politike.
“Një nga arritjet më të rëndësishme të Lidhjes ishte ndihma për organizimin e takimit të Presidentit Ibrahim Rugova me Presidentin Clinton në shkurt të vitit 1994, përmes përpjekjeve të kongresmenit Benjamin Gilman dhe Joe DioGuardi-t. Megjithëse takimi ishte i shkurtër, ai kishte një rëndësi të jashtëzakonshme politike. Ai i dërgoi një mesazh të qartë botës se Kosova ishte bërë një çështje me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara”, tha Aliçkaj.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael e organizoi sot Seminarin “Një Premtim i Mbajtur: AACL dhe Rruga e Kosovës Drejt Lirisë dhe Pavarësisë”, në shenjë nderimi për 37-vjetorin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Fondacionit Qytetar Shqiptaro-Amerikan. /KP/

