Sot, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Tarifat Doganore, të cilat nga 1 korriku 2026 do të sjellin në fuqi norma më të ulëta doganore për 70 mallra që përdoren si lëndë të para dhe mallra të ndërmjetme në industrinë vendore.
Ndryshimet ligjore i përshtatin më tej normat doganore me ato në fuqi në Bashkimin Evropian, në përputhje me dispozitat e Programit të punës së Qeverisë 2024-2028 dhe angazhimet për përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë vendore.Ulja e normave doganore do të kontribuojë në uljen e shpenzimeve për kompanitë, veçanërisht në industrinë përpunuese, dhe do të mundësojë kushte më të mira për prodhim dhe eksport.
Nga Ministria e Financave thonë se masa synon forcimin e konkurrueshmërisë së eksportit të kompanive vendore, rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe sigurimin e hyrjeve më të larta të devizave në vend. Ndryshimet janë përgatitur në konsultim me odat tregtare dhe përfaqësojnë vazhdimësi të reformave të nisura vitin e kaluar, kur nga 1 korriku 2025 u realizua ulja e parë e normave doganore në 50 përqind të nivelit të normave doganore të zbatueshme në Bashkimin Evropian.
Ndryshimet e reja parashikojnë harmonizimin e plotë të normave doganore për këto produkte me normat e zbatuara në Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
“Me miratimin e këtij ligji dërgojmë mesazh të qartë se jemi të përkushtuar në krijimin e ekonomisë vendore më konkurruese dhe më të qëndrueshme. Nga 1 korriku, kompanitë do të kenë kosto më të ulëta për blerjen e lëndëve të para dhe mallrave të ndërmjetme, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në produktivitetin e tyre, konkurrueshmërinë dhe potencialin eksportues. Qëllimi ynë është që kompanitë vendore të kenë kushte të krahasueshme me ato në Bashkimin Evropian, të investojnë më shumë, të hapin vende të reja pune dhe të krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi”, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se Qeveria vazhdon të zbatojë politika që sigurojnë mjedis biznesi të parashikueshëm dhe të favorshëm si dhe partneritet të fortë me komunitetin e biznesit, me qëllimin përfundimtar përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe për të siguruar standarde më të lartë jetese për qytetarët.
Masa do të kontribuojë drejtpërdrejt në përkrahjen e industrisë automobilistike, industrisë metalpërpunuese dhe metalurgjisë, ndërsa pritet të ketë ndikim pozitiv në rritjen e eksportit, fluksit valutor, investimeve dhe numrit të vendeve të punës.

