Daut Haradinaj, ka ngritur shqetësimin për situatën me të cilën po përballen prodhuesit vendorë të qumështit, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
Haradinaj ka theksuar se sektori i qumështit është një nga shtyllat kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë së Kosovës dhe se shteti duhet të krijojë politika që mbrojnë fermerët, prodhuesit dhe përpunuesit vendorë.
“Çdo shtet serioz duhet ta mbrojë prodhuesin vendor, fermerin dhe përpunuesin, duke krijuar kushte për zhvillim dhe eksport, e jo duke marrë vendime që rrezikojnë mbijetesën e industrisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, mbrojtja e konsumatorit dhe etiketimi korrekt janë të domosdoshme, por masat ndaj produkteve që janë të deklaruara dhe i përmbushin standardet ligjore duhet të jenë proporcionale dhe të bazuara në ligj.
Haradinaj ka paralajmëruar se masat e ndërmarra ndaj prodhuesve po shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta në industri. Ai ka thënë se në shumë markete tashmë po krijohen mungesa të produkteve, ndërsa disa linja të prodhimit po ndalen dhe punëtorët po mbeten pa angazhim efektiv.
“Shpenzimet fikse, pagat, energjia, kreditë dhe obligimet ndaj fermerëve vazhdojnë çdo ditë. Kjo krijon dëme të mëdha ekonomike për kompanitë vendore”, ka theksuar ai.
Veçanërisht shqetësuese, sipas Haradinajt, është koha kur po zbatohen këto masa, në mes të sezonit dhe gjatë muajit gusht, kur prodhimi dhe grumbullimi i qumështit janë në kulm.
Ai ka vlerësuar se vendimet e tilla ndikojnë në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke dëmtuar fermerët, përpunuesit dhe konsumatorët.
Haradinaj ka ngritur shqetësimin edhe për vështirësitë që prodhuesit vendorë vazhdojnë të kenë me eksportin, ndërsa tregu i Kosovës mbetet i hapur për produktet e importuara.
Në fund, ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ulen në dialog me industrinë, të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të marrin vendime që mbrojnë njëkohësisht konsumatorin dhe prodhuesin vendor.
“Një industri e fortë e qumështit është në interes të gjithë Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.
The post Daut Haradinaj kërkon reagim urgjent për krizën në sektorin e qumështit appeared first on Gazeta Express.

