Organizata Demokraci Plus (D+) ka kërkuar anulimin e një tenderi të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në vlerë prej 743 mijë eurosh, i cili parasheh angazhimin e 26 personave përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura si kontrata mbi vepër, shkruan Telegrafi.
Sipas D+, procedura e prokurimit nuk është në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, pasi pozitat e parapara nuk përbëjnë shërbime të veçanta dhe nuk duhet të plotësohen përmes kësaj forme të angazhimit.
“Sipas nenit 57 të Rregullores së Prokurimit Publik, Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta mund të përdoren vetëm për angazhimin e ekspertëve që ofrojnë shërbime specifike, të cilat institucioni nuk mund t’i sigurojë me kapacitetet e veta, as përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë ose legjislacionit të punës”, thuhet në reagimin e D+.
Sipas organizatës, procedura e prokurimit me numër 207-26-5948-2-1-1 parasheh angazhime me kohëzgjatje prej 12 dhe 36 muajsh, me orar të plotë pune
Në mesin e profileve të kërkuara janë arkitektë, inxhinierë, ekspertë ligjorë, koordinatorë administrativë, interpretues muzealë, administratorë të databazës dhe profile të tjera për nevojat e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe institucioneve vartëse të saj.
D+ thotë se, pas analizimit të dosjes së tenderit, ka konstatuar se pozitat e parapara përkojnë me pozitat e përcaktuara në strukturën organizative të institucionit, ndërsa përshkrimet e punës përfshijnë detyra administrative, teknike dhe operative, e jo shërbime të ekspertizës së veçantë.
“Për këto arsye, D+ kërkon nga MKT anulimin e këtij tenderi, pasi procedura e iniciuar nuk është në përputhje me qëllimin dhe kushtet për përdorimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta dhe nuk duhet të zhvillohet sipas legjislacionit të prokurimit publik”, thuhet në reagim./Telegrafi/.

