Riccardo Calafiori iu anulua një gol nga VAR-i në fitoren 2-1 të Arsenalit ndaj Chelseat, por italiani kontribuoi edhe në golin e fitores.
“Ai është mbrojtësi i majtë më i mirë në Premierligë”, thuhet për të.
Ish-lojtari i Bolognës dhe Romës zakonisht luan si qendërmbrojtës kur përfaqëson Italinë me fanellën e “Azzurrëve”, por te Arsenali po lë gjurmë si mbrojtës i majtë.
Është pikërisht kjo aftësi për të luajtur në disa pozicione, si dhe prirja e tij për të avancuar përmes qendrës nga mbrojtja kur luan me Italinë në turne si EURO 2024, që i mundëson Calafiorit të ketë një ndikim kaq të madh.
Kjo u vlerësua edhe nga ekspertët e “Sky Sports” në Britani, të cilët e cilësuan lëvizjen e tij në aksionin që çoi te goli i fitores si “absolutisht fantastike”.
Calafiori tërhoqi me vete mbrojtësit e Chelseat dhe krijoi hapësirën për pasimin, duke i mundësuar Kai Havertz të bënte një lëvizje mashtruese dhe më pas Martin Ødegaard të shënonte golin e fitores.
Në fakt, Calafiori mendoi se kishte shënuar edhe golin e barazimit për Arsenalin, pak pas golit të hershëm të Morgan Rogers, kur e shtyu topin nga afërsia përtej vijës së portës pas një aksioni kaotik nga goditja standarde.
Megjithatë, goli u anulua nga VAR-i për shkak të pozicionit jashtë loje të Ezri Konsas në fazën e mëparshme të aksionit.
Arsenali e gjeti më vonë golin e barazimit përmes Havertz, përpara se Ødegaard të realizonte për 2-1.
Jamie Carragher e ka vlerësuar lart Calafiorin, duke e cilësuar “mbrojtësin e majtë më të mirë në ligë”, falë paraqitjeve të tij.

