Një anije mallrash ruse, e quajtur Sparta II, është goditur nga një sulm me dron në Gjirin lindor të Finlandës, duke marrë flakë dhe më pas duke u zhvendosur në ujërat finlandeze. Anija ishte nisur drejt Kaliningradit, territor rus në Detin Baltik.

Autoritetet finlandeze dyshojnë se Ukraina qëndron prapa sulmit, ndërsa sipas informacioneve paraprake të autoriteteve ruse, ndaj anijes janë përdorur dy dronë. Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, deklaroi se lufta po shtrihet gjithnjë e më afër vendit të tij, duke shtuar se Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresionit rus.
Sipas BBC, pas incidentit, një anije ruse e shpëtimit iu afrua Sparta II, por ekuipazhi nuk kërkoi evakuim. Autoritetet finlandeze kanë bërë të ditur se nuk ka pasur dëme mjedisore dhe as rrezik për trafikun detar apo njerëzit.
Anija Sparta II është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2022 dhe të Ukrainës që nga ky vit. Ajo operohet nga një kompani ruse që, sipas autoriteteve amerikane dhe ukrainase, ka lidhje me strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Ndërkohë, autoritetet finlandeze kanë nisur hetimet për rastin, ndërsa është njoftuar edhe NATO-ja. Incidenti vjen pas një sulmi tjetër ukrainas me dron ndaj një anijeje luftarake ruse në Gjirin e Finlandës, në fillim të këtij muaji.





