Më shumë se 100 zjarrfikës po luftojnë prej së premtes për të vënë nën kontroll zjarrin masiv që ka përfshirë zonën e Hautes Fagnes, në lindje të Belgjikës. Terreni i pyllëzuar dhe shumë i thyer po e bën veçanërisht të vështirë operacionin e shuarjes.
Belgjika është përfshirë të dielën në një operacion të gjerë për shuarjen e një prej zjarreve më të mëdha pyjore në historinë e saj. Flakët kanë përfshirë rreth 3 mijë hektarë në një rezervat pyjor pranë kufirit me Gjermaninë, ndërsa terreni i vështirë e ka komplikuar ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Më shumë se 100 zjarrfikës, të organizuar në turne, po përpiqen prej së premtes të frenojnë përhapjen e zjarrit në Hautes Fagnes, një zonë e madhe pyjore në lindje të vendit dhe destinacion i njohur për turistët dhe alpinistët.
Në përpjekjet për shuarjen e zjarrit janë përfshirë edhe fermerë nga zona përreth, të cilët kanë ofruar ndihmë me mjetet e tyre.
Sipas ministrit belg të Brendshëm, Bernard Quintin, disa vatra të zjarrit janë vënë nën kontroll, por situata mbetet komplekse për shkak të terrenit dhe ndryshimit të shpeshtë të drejtimit të erës.
Evakuime për shkak të tymit
Deri tani nuk raportohet se zjarri ka prekur banesa. Megjithatë, një re e madhe tymi ka mbuluar zonën pranë kufirit me Gjermaninë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët e disa fshatrave.
Edhe qyteti gjerman Monschau, pranë kufirit me Belgjikën, u ka bërë thirrje të dielën banorëve të zonave kufitare që të largohen përkohësisht. Autoritetet kanë paralajmëruar për ndotje të konsiderueshme të ajrit për shkak të tymit.
Era e tymit është ndier edhe në Namur, më shumë se 100 kilometra larg zonës së zjarrit. Ndërkohë, autoritetet në departamentin francez të Moselle kanë lëshuar gjithashtu një alarm për ndotjen e ajrit.
Ndihmë ajrore nga Holanda dhe Suedia
Belgjika po mbështetet edhe në ndihmën e vendeve të tjera evropiane. Përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, i aktivizuar të shtunën, në operacion janë angazhuar mjete ajrore shtesë.
Përveç dy helikopterëve belgë, në zonë kanë mbërritur dy helikopterë nga Holanda dhe dy avionë zjarrfikës nga Suedia.
Kryeministri belg Bart De Wever falënderoi partnerët evropianë për ndihmën, duke vlerësuar mbështetjen e tyre në përballimin e situatës.
Origjina dhe shkaku i zjarrit mbeten ende të panjohura.
Belgjika, ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, është përballur ditët e fundit me temperatura të larta dhe thatësirë. Temperaturat arritën deri në 37 gradë Celsius në disa pjesë të vendit të premten, duke krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve. /Albinfo.ch
The post Belgjika përballet me një nga zjarret më të mëdha në historinë e saj, kërkon ndihmë ajrore nga Evropa appeared first on Gazeta Express.

