Bashkëshortja e kryeministrit Kurti, Rita Augestad Knudsen, është promovuar në pozitën e profesoreshës kërkimore në Institutin Norvegjez të Çështjeve Ndërkombëtare (NUPI).
NUPI ka njoftuar përmes një postimi se është veçanërisht krenar për promovimin e Knudsen, duke vlerësuar punën e saj kërkimore në fushën e sigurisë ndërkombëtare, politikës, ligjit dhe rrezikut.
Sipas NUPI-t, në aplikimin e saj për promovim, Knudsen e kishte organizuar punën kërkimore rreth tri shtyllave kryesore: lirisë në politikën dhe të drejtën ndërkombëtare, kundërterrorizmit, si dhe vlerësimit dhe ideve mbi rrezikun.
Komiteti ekspert që vlerësoi aplikimin e saj, sipas NUPI-t, ka arritur në mënyrë unanime në përfundimin se Knudsen është e kualifikuar për promovim në pozitën e profesoreshës kërkimore.
Edhe drejtori i NUPI-t, Kari Osland, ka vlerësuar punën e saj.
“Promovimi i Ritës është i merituar. Hulumtimi i saj mbi lirinë, kundërterrorizmin dhe rrezikun vendos një standard të lartë”, është shprehur Osland.
Ai ka veçuar gjithashtu punën e Knudsen gjatë dhjetë viteve të fundit në drejtimin e Consortium for Research on Terrorism and International Crime, duke theksuar se puna e saj ka ndihmuar që kërkimi shkencor të ketë ndikim edhe përtej institutit./Indeksonline
The post Bashkëshortja e Kurtit bëhet profesoreshë kërkimore në Institutin Norvegjez appeared first on Gazeta Express.

