Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka reaguar ndaj paralajmërimeve për varrosjen e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, me nderime shtetërore në Serbi.
Stojkoviq ka deklaruar se një varrim i tillë do të përbënte, sipas tij, “një pranim të drejtpërdrejtë të Serbisë për bashkëpërfshirje në gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Ai ka theksuar se Mlladiqi nuk ka qenë zyrtar i Serbisë dhe se nuk ka pasur shtetësi serbe, duke argumentuar se nderimet shtetërore do të krijonin de facto përshtypjen se ai ka qenë pjesë e aparatit shtetëror serb dhe se ka vepruar në përputhje me urdhrat e Serbisë.
“Vetë ideja e ministrave të Drejtësisë së Serbisë që ai të varroset me nderime shtetërore në Serbi do të nënkuptonte de facto pranimin se ai në të vërtetë ka qenë gjithmonë pjesë e aparatit shtetëror të Serbisë”, ka shkruar Stojkoviq.
Sipas tij, kjo do të nënkuptonte gjithashtu se krimet e kryera nga Mlladiqi, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, do të konsideroheshin si krime për të cilat Serbia do të mbante përgjegjësi.
Stojkoviq ka kritikuar ashpër ministrin e Drejtësisë së Serbisë, duke e quajtur atë “ministrin e drejtësisë më të pamend që ka shkelur ndonjëherë mbi faqen e Tokës”.
Ai ka thënë se një varrim me nderime shtetërore do të dërgonte një mesazh të rëndë edhe për familjet e viktimave.
“Nuk na intereson pajtimi – na intereson gjaku. Nuk respektojmë viktimat e pafajshme, por u fusim gishtin në sy familjeve të të vrarëve”, ka shkruar avokati serb.
Në fund, Stojkoviq e ka cilësuar një veprim të tillë si “një paralajmërim për të ardhmen”, duke kritikuar ata që, sipas tij, kërkojnë nderime shtetërore për një komandant ushtarak të dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte, përfshirë gjenocidin.
The post Avokati serb: Varrosja e Mlladiqit me nderime shtetërore do të ishte pranim i drejtpërdrejtë i përgjegjësisë së Serbisë për gjenocidin në BeH appeared first on Gazeta Express.

