Është arrestuar personi që dyshohet se ka shtënë sot me armë zjarri në rrugën “Wesley Clark” në Pejë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.
“Personi që dyshohet se ka shtënë sot me armë zjarri, pas arrestimit nga Policia e Kosovës dhe intervistimit është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit”, ka deklaruar Nikçi.
Të shtënat me armë janë raportuar sot rreth orës 11:50 në rrugën “Wesley Clark”.
Rastin e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Pejë, Driton Rugova, sipas të cilit pas njoftimit, njësitet policore kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes, Policia kishte takuar një person që dyshohet se ishte sulmuar.
“Fatmirësisht nuk kemi persona të lënduar”, kishte deklaruar Rugova.
Rasti është nën hetim nga autoritetet kompetente./Telegrafi/

