Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës të thirrur për sot në ora 14:00, e cila ka në rend dite zgjedhjen e Qeverisë së re.
Ramadani ka thënë se Aleanca kishte ofruar një marrëveshje gjashtëpikëshe, të cilën e kishte paraqitur që më 26 qershor, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje politike dhe krijimit të stabilitetit.
“Ne ofruam marrëveshje. Ata zgjodhën arrogancën. Ne ofruam zgjidhje. Ata zgjodhën krizën”, ka shkruar Ramadani.
Sipas tij, oferta e Aleancës është refuzuar, pasi, siç pretendon ai, “postet janë më të rëndësishme sesa vendimet e mira për shtetin dhe qytetarët”.
Ramadani ka bërë të ditur se Aleanca e konsideron procesin aktual si jokushtetues dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne e konsiderojmë këtë proces jokushtetues dhe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar ai.
Deputeti i AAK-së ka theksuar se partia e tij ka zgjedhur, siç thotë ai, interesin e Kosovës përballë pjesëmarrjes në procesin e sotëm.
“Aleanca zgjodhi Kosovën. Ata zgjodhën pushtetin e postet”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka konfirmuar se deputetët e Aleancës nuk do të marrin pjesë në grumbullimin e orës 14:00 në sallën e Kuvendit, duke e konsideruar atë proces jokushtetues. /Telegrafi/
