Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë, lidhur me 17 vendime të marra në mbledhjen e 12 gushtit, të cilat kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se vendimet, sipas vlerësimit të juristëve që e përfaqësojnë këtë rast, janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë dhe rregulloret në fuqi.
“Kemi dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal për Qeverinë në detyrë, respektivisht për kryeministrin në detyrë, për shkak se më 12 gusht të këtij viti janë marrë disa vendime të cilat, sipas vlerësimit tonë dhe juristëve tanë, bien ndesh me ligjin dhe rregulloret që përcaktojnë kompetencat e një qeverie në detyrë”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, 17 vendimet lidhen me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjenci qeveritare, ndërsa në një rast bëhet fjalë për përzgjedhjen e një sekretari të përhershëm.
Tahiri theksoi se Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet të plotë për të ndërmarrë veprime të tilla dhe se vendimet e saj, sipas Aleancës, tejkalojnë kompetencat që i lejon ligji në këtë fazë.
“Po ashtu, ajo që theksojmë si Aleancë në këtë kallëzim penal është se një deputet i cili betohet në Kuvend si deputet, ai apo ajo nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër ekzekutive për shkak se kjo është e ndaluar me ligj. Nuk mundesh me shkuar paradite në seancë me u betuar si deputet, me votuar si deputet dhe pastaj pasdite me vazhduar në qeveri dhe me ushtruar detyra ekzekutive si ministër në detyrë, respektivisht kryeministër. Kjo është shkelje flagrante e ligjit, kjo po ashtu është e sanksionuar edhe me një vendim tjetër të Gjykatës Supreme, i cili vendim është po ashtu i elaboruar në kallëzimin tonë penal”, tha ai.
“Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet. Adresa e vetme e jona, e Aleancës, e qytetarëve të Kosovës janë institucionet, respektivisht organet e ligjit, Prokuroria dhe Gjykata. Presim që këto institucione të përgjigjen ndaj kërkesës sonë”, përfundoi Tahiri.

