Policia e Kosovës ka pranuar sot rreth orës 18:00 një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Pas pranimit të njoftimit, policia ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme të sigurisë, duke evakuuar qytetarët nga një perimetër i caktuar dhe duke angazhuar njësitet përkatëse për verifikimin dhe trajtimin e rastit, raporton Zeri.info.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar një informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka konfirmuar për “Zërin”, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Policia pritet të japë informacione shtesë pas përfundimit të kontrollit në terren. /Zëri

