Ish aktivisti i ilegales Ali Ahmeti ka rrëfyer për fillimet e angazhimit të tij politik, organizimin e studentëve shqiptarë dhe veprimtarinë e grupeve të fshehta kundër regjimit jugosllav.
Në një intervistë për ciklin “Dosjet” të emisionit Debat Plus me Ermal Pandurin, Ahmeti ka thënë se kontaktet e tij me veprimtarinë e organizuar u intensifikuan pas ardhjes në Prishtinë për studime në vitin 1979, ndonëse pakënaqësitë dhe rezistenca kishin nisur që në gjimnaz.
“Me shkuarjen në Prishtinë, ne kemi rënë në kontakt me studentë, me grupe të organizuara. Fillimisht me Bajram Kosumin, që ishte në degën e letërsisë, pastaj me Azem Sylën, që kishin linja komunikimi me grupe të organizuara”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka rrëfyer se studentët shqiptarë, pavarësisht se nga cilat treva vinin, e shihnin angazhimin e tyre si pjesë të një lëvizjeje të përbashkët kombëtare.
“Pavarësisht se kujt krahine ishim studentët, ne angazhoheshim si një lëvizje e gjithë shqiptarëve. Linjat e komunikimit kanë qenë të rregullta, literatura e rregullt, organizimet fillonin dita-ditës të rriteshin”, deklaroi ai.
Ahmeti foli edhe për ndikimin që Radio Tirana, Televizioni Shqiptar dhe literatura që vinte nga Shqipëria kishin te studentët dhe veprimtarët e asaj kohe, veçanërisht në formimin e tyre politik dhe në mënyrat e organizimit të protestave.
Duke folur për termin “lëvizje ilegale”, Ahmeti tha se nuk e konsideron të saktë këtë përcaktim.
“Ne ilegalë nuk kemi qenë. Ne kemi qenë të fshehtë prej pushtuesit, por kemi punuar me njerëz. Nuk kemi qenë të fshehur prej popullit tonë”, tha Ahmeti.
Ai ka përmendur një varg figurash dhe organizimesh që ruajtën vazhdimësinë e rezistencës shqiptare, nga Adem Demaçi te Rexhep Mala, Kadri Osmani, Mehmet Hajrizi dhe Hydajet Hyseni.
Sipas Ahmetit, goditja më e madhe ndaj kësaj lëvizjeje erdhi pas demonstratave të vitit 1981, kur regjimi jugosllav ndërmori arrestime masive të shqiptarëve.
“Pason goditja më e madhe e lëvizjes sonë kombëtare, në vitin 1981, me arrestimin e qindra e mijëra studentëve në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi”, u shpreh ai.
Ahmeti tha se shërbimet sekrete të Beogradit vazhduan për vite me radhë përpjekjet për infiltrimin dhe zbulimin e grupeve shqiptare që vepronin kundër regjimit.
“Gati deri me fillimin dhe mbarimin e luftës, shërbimet sekrete të Beogradit kanë pasur ndikime dhe infiltrime brenda shqiptarëve për të zbuluar grupet që vepronin dhe punonin kundër regjimit”, deklaroi Ahmeti.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe arrestimet e Ahmet Haxhiut dhe Shaban Mujës, duke folur për pasojat e rënda që, sipas tij, ata pësuan gjatë burgimit në Beograd.
Intervista e Ahmetit në “Dosje” sjell dëshmi për periudhën e organizimeve studentore dhe politike shqiptare në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80, si dhe për përplasjen e këtyre lëvizjeve me aparatin shtetëror dhe shërbimet sekrete jugosllave.
Ahmeti hap “Dosjen” e viteve ’80: Si organizoheshin shqiptarët nën syrin e UDB-së

Ish aktivisti i ilegales Ali Ahmeti ka rrëfyer për fillimet e angazhimit të tij politik, organizimin e studentëve shqiptarë dhe veprimtarinë e grupeve të fshehta kundër regjimit jugosllav. Në një intervistë për ciklin “Dosjet” të emisionit Debat Plus me Ermal Pandurin, Ahmeti ka thënë se kontaktet e tij me veprimtarinë e organizuar u intensifikuan pas

