Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur mirënjohje për degën e partisë në Viti, kryetarin Sokol Haliti, kryesinë dhe strukturat lokale për mbështetjen e tyre.
Përmes një postimi publik, Abdixhiku i falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe përkushtimin ndaj parimeve, punës dhe së drejtës, duke theksuar se e ka marrë qartë mesazhin e tyre.
“Ju faleminderit për mbështetjen e plotë. Ju faleminderit për pritjen e sotme; që jeni e që ju kemi! Që i mbroni parimet, punën e të drejtën. Mesazhin tuaj e mora qartë”, ka shkruar ai.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se partia do t’i tejkalojë të gjitha sfidat, qofshin ato shtetërore apo partiake, përmes demokracisë funksionale, vullnetit të mirë dhe besimit në anëtarësinë e saj.
“Do ta kalojmë çdo sfidë, shtetare e partiake, siç kemi ditur gjithmonë; me demokraci funksionale, me vullnet të mbarë dhe me besim të plotë se LDK është veç e anëtarësisë së saj dhe ky vullnet s’i nënshtrohet askujt”, ka deklaruar Abdixhiku.

