Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri është pyetur edhe lidhur me raportimet mbi një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Haziri lidhur me këtë tha së as nuk kanë pranuar ndonjë ftesë e as nuk i kanë ofruar ftesë askujt.
“Më lejoni ta konfirmoj edhe një herë: as nuk kemi pasur ftesë, as nuk i kemi ofruar askujt. Parimet gjithëpërfshirëse sipas rezultatit të fundit zgjedhor e njohin të drejtën e partisë së parë dhe i njohin të drejtat tona si parti politike me peshën që e kanë dhënë qytetarët e Republikës”.
“Takime nuk ka pasur deri tani që po flasim, sepse nuk ka pasur asnjë ftesë. Edhe ne kemi dalë me parim politik, kemi thënë që procesi politik kërkon që Kosova me vendosë normalitet dhe stabilitet institucional. Kjo është e tëra”, tha Haziri.
Ai shtoi se të gjitha pjesët tjera janë spekulative sepse sipas tij, përderisa vendi është në krizë politike qëndron edhe kjo situatë.
“Pjesët e tjera janë spekulative, janë konspiracione të Prishtinës. Tashmë dihet që në çdo lloj kryeqyteti i konspiracionit jemi të akomoduar sepse kemi krizë politike. Përderisa ka krizë politike, ka me qenë kështu, por LDK-ja është imune ndaj kësaj, është imune ndaj çdo oferte politike”, shtoi nënkryetari i LDK-së.

