Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka ngritur alarmin për rrezikun që Kosova të humbasë mjetet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të krizës politike dhe vonesave në formimin e institucioneve të reja.
Sipas Rafunës, zvarritja e krijimit të institucioneve deri në vjeshtë mund ta lërë Kosovën jashtë vëmendjes së BE-së në një periudhë vendimtare për përfitimin e fondeve evropiane.
“Në skenarin më të keq, nëse Kosova nuk arrin t’i formojë shpejt institucionet ose zvarritet formimi i tyre deri në shtator apo tetor, atëherë hyjmë në kohën e fundvitit dhe askush nuk merret më me Kosovën”, deklaroi Rafuna për RTV21.
Ai theksoi se bllokada politike dhe ciklet e shpeshta zgjedhore po e dëmtojnë seriozisht agjendën evropiane të vendit dhe po rrezikojnë realizimin e projekteve të rëndësishme ekonomike.
Në anën tjetër, Shqipëria dhe Mali i Zi po vlerësohen si vendet më të avancuara në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Dy shtetet kanë përfituar së fundmi rreth 200 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian, ndërsa konsiderohen ndër përfituesit më të mëdhenj të paketës prej 6 miliardë eurosh të dedikuar për rajonin.
The post Rafuna: Vonesa në formimin e institucioneve rrezikon fondet e Kosovës nga Plani i Rritjes së BE-së appeared first on Gazeta Express.



