Shqiptarë të shumtë janë mbledhur sonte në Ulm të Gjermanisë për të protestuar kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta në diasporë është organizuar në shenjë kundërshtimi ndaj dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Pjesëmarrësit kanë shprehur kërkesën për drejtësi dhe kanë kundërshtuar dënimet me gjithsej 81 vjet burgim të shqiptuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të Evropës. Platforma “Liria ka Emër” ka bërë të ditur se protesta janë mbajtur edhe në Hamburg të Gjermanisë dhe në Helsinki të Finlandës, ku morën pjesë një numër i madh mërgimtarësh.
Ndërkohë, sonte pritet të mbahet edhe protesta në Prishtinë, ku qytetarët pritet të mblidhen nga ora 21:00 në sheshin “Skënderbeu”, për natën e 11-të radhazi, me moton “Jo në emrin tim”.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës i dënuan në shkallën e parë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.
