Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese sqaroi situatën aktuale politike, duke konstatuar se Kuvendi është konstituar dhe se, zgjedhja e qeverisë së re nuk është antikushtetuese. Kësisoj, gjykata zhbllokoi ngërçin e krijuar së fundi duke i hapur rrugë hapave të ardhshëm. E që në radhë, është zgjedhja e presidentit. Për këtë të fundit, gjykata po ashtu dha përgjigje, duke konstatuar se shefi i ri i shtetit duhet të zgjidhet deri me 6 tetor, ose përndryshe, shkohet në zgjedhjet e reja.
Vendimi i gjykatës nxiti edhe reagimet e partive politike, të cilat shfaqën qëndrimet e tyre për këtë çështje. Për këtë, ka folur edhe vetë i pari i ekzekutivit dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kryeministri pasi potencoi se ‘’zgjedhjet e reja janë të panevojshme’’, tha edhe se, s’duhet të shkojmë në zgjedhje vetëm për të ‘’konstatuar rezultate të njëjta’’.
‘’Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë president? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta”, deklaroi sot Kurti.
Lidhur me të njëjtën temë, janë deklaruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Ka qenë vetë kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ai i cili dje dha komentet e tij.
Hamza, fillimisht theksoi se pas dënimit të ish-krerëve të UÇK’së, ‘’jemi në rrethana të reja’’, kësisoj, edhe PDK’ja, bazuar në rrethanat aktuale do i ‘’ndërrojë’’ dhe do t’i ‘’përshtatë’’ qëndrimet e veta.
“Jemi në rrethana të reja. Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit”, deklaroi dje Hamza, i cili po ashtu, shfaqi gatishmëri për takime të tjera me liderët politikë për çështjen e Presidentit.
Përveç Kurtit, ka pasur edhe deklarime të tjera të VV’së. Është deputeti Adnan Rrustemi, ai që shfaqi qëndrimin e kësaj partie për zgjedhjen e të parit të vendit.
Rrustemi tha se ‘’gjithsesi’’ se do të ketë ftesa të tjera për takime me partitë e tjera, të cilat tha ai se janë të ‘’domosdoshme’’ dhe se duhet të ‘’intensifikohen’’. Deputeti i VV’së shtoi edhe se, VV’ja ende mban qëndrimin për një emër konsensual për president.
“Gjithmonë kemi qenë për një emër konsensual si Lëvizje Vetëvendosje. Unë besoj që zgjidhja është një emër konsensual, është e domosdoshme kjo. Por PDK-ja dhe Aleanca refuzojnë që të bashkëpunojnë. Unë besoj që përsëri do ta kemi qasjen e njëjtë, konstruktive për të gjetur një emër konsensual dhe pastaj për të vazhduar secili në rolin e tij dhe të saj. Ata që janë në opozitë le ta luajnë rolin e opozitës, ne që jemi në mazhorancë të përmbushim detyrimet që na përkasin”, deklaroi ai sot.
Ndryshe, Kuvendit i kanë mbetur edhe 10 ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit të ri, ku në rast të mos zgjedhjes së tij, vendi do të hynte edhe në një tjetër proces zgjedhor. /GazetaExpress
The post 10 ditë afat për t’i evituar zgjedhjet, PDK e gatshme t’i ‘‘përshtatë’’ qëndrimet për Presidentin, VV deklarativisht për ‘‘emër konsensual’’ appeared first on Gazeta Express.

