Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë sot, dhe të jenë në fokus diskutimet për situatën e krijuar në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH) pasi Vlora Hyseni u la në arrest shtëpiak dhe u shkarkua nga detyra.
Në dokumentin drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi kërkon heqjen nga rendi i ditës të dy interpelancave urgjente, përkatësisht me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Demokratët kërkojnë që kryeministri Edi Rama të japë shpjegime lidhur me situatën e krijuar në shërbimin informativ.
“Nëpërmjet këtyre veprimtarive të paligjshme, shtetasja Vlora Hyseni ka dëmtuar rëndë besimin e publikut tek institucionet shtetërore, ashtu si edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë tek shteti shqiptar, ka cenuar sigurinë kombëtare, si dhe sigurinë e aleatëve të NATO-s. Është rast unik dhe i paprecedent në historinë e Shqipërisë që Drejtori i SHISH vendoset në dy masa sigurimi personal, pasi ekzistojnë të dhëna, indicie dhe prova bindëse se ka ndihmuar Ergys Agasin…”, theksohet në kërkesë.
Kërkesa e demokratëve vjen pas zhvillimeve të fundit në lidhje me ish drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës, në kuadër të hetimeve të SPAK për Ergys Agasin dhe aferën AKSHI. Pas këtyre zhvillimeve, ajo u shkarkua nga detyra.
The post Seanca plenare në Tiranë, PD kërkon ndryshimin e rendit të ditës: Rama të japë shpjegime për situatën e rëndë në SHISH appeared first on Gazeta Express.

