Ligji i delegon qeverisë italiane kompetencën për të hartuar, brenda një viti, një kuadër të plotë ligjor për të gjithë ciklin e jetës së energjisë bërthamore. Objektivi është përdorimi i energjisë nukleare si një prej mjeteve për dekarbonizimin e ekonomisë, rritjen e sigurisë dhe forcimin e pavarësisë energjetike të vendit.
Miratimi i ligjit i hap rrugën rikthimit të një kuadri ligjor për energjinë bërthamore, duke mundësuar ndërtimin dhe funksionimin e centraleve të reja. Italia i mbylli centralet e saj bërthamore pas referendumit të vitit 1987.
Çfarë parashikon ligji?
Qeveria do të ketë një afat deri në një vit për të nxjerrë dekretet që do të rregullojnë sektorin.
Ndër fushat kryesore të përcaktuara në ligj janë: ndërtimi dhe funksionimi i centraleve bërthamore; prodhimi i hidrogjenit përmes energjisë bërthamore; menaxhimi i karburantit bërthamor të përdorur dhe mbetjeve; masat e sigurisë dhe mbrojtjes; krijimi dhe funksionimi i organeve të kontrollit; përcaktimi i zonave ku mund të ndërtohen impiantet.
Ligji parashikon gjithashtu hartimin e një programi kombëtar për energjinë bërthamore të qëndrueshme dhe fuzionin bërthamor, duke përfshirë rregullat për impiantet, mbetjet, sigurinë dhe përzgjedhjen e vendndodhjeve, me përfshirjen e autoriteteve lokale.
Ministri italian i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin, i cili ka firmosur propozimin, ka deklaruar më herët se synon që dekretet zbatuese të miratohen deri në fund të këtij viti. /Panorama
The post Italia rikthen energjinë bërthamore, Senati miraton përfundimisht ligjin për centralet nukleare appeared first on Gazeta Express.

