Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se e ka liruar nga detyra shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, disa orë pasi u bë publik lajmi se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ajo të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në arrest shtëpiak.
Masat e vendosura nga Prokuroria e Posaçme lidhen me një hetim për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Rama, që gjendet në Shtetet e Bashkuara ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se është njoftuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për Hysenin dhe tha se pret që çdo dyshim i organit ndjekës të hetohet dhe të zbardhet.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë”, shkroi Rama në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se sapo të kthehet nga SHBA-ja, në konsultim me presidentin Bajram Begaj, do të emërohet kreu i ri i SHISH-it.
Më herët gjatë ditës u njoftua se me urdhrin e SPAK-ut, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni si person nën hetim për dy vepra penale.
SPAK referon dy nene që përcaktojnë “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Gjykata ka firmosur “arrest me burg” për një punonjës të institutit të policisë shkencore dhe një biznesmen.
Gjithashtu SPAK njoftoi se me urdhër të gjykatës është kryer kontroll personal dhe në banesë për shtetasin me inicialet I.P që e identifikon si ish-funksionar të lartë i policisë së shtetit. SPAK thotë se i ka kryer këto veprime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, që lidhet me dosjen AKSHI.
Vlora Hyseni është veçanërisht e njohur në Kosovë, pasi para se të merrte drejtimin e SHISH-it në Shqipëri, kishte mbajtur një pozitë të lartë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ajo ishte zëvendësdrejtoreshë e AKI-së nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2021, kur u shkarkua nga detyra nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Hyseni kishte punuar për disa vite në AKI, fillimisht si drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas si zëvendësdrejtoreshë.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e saj, më 30 qershor 2021, nuk u dhanë hollësi për arsyet e vendimit. Në atë kohë, Qeveria tha se vendimi ishte mbështetur në ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Në komunikatë përmendej fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.
Në vitin 2023, Hyseni u emërua në krye të SHISH-it në Shqipëri. Në atë kohë, opozita shqiptare i kërkoi presidentit Bajram Begaj që, para dekretimit të saj, të merrte informacione për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga AKI-ja.
Hetimi ku është përfshirë Hyseni lidhet me dosjen e AKSHI-t, institucionit qendror që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare.
Ergys Agasi është një nga personat e dyshuar në këtë çështje, e cila lidhet me dyshime për grup të strukturuar kriminal dhe mashtrime me tenderë publikë.
Në të njëjtin hetim është përfshirë edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili është arrestuar në Francë. Hetimet kanë përfshirë disa zyrtarë dhe biznesmenë.
Gjykata ka caktuar masa sigurie edhe ndaj zyrtarëve të AKSHI-t. Ish-drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, është vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa zëvendësja e saj është lënë nën masën e detyrimit për paraqitje në polici.
Agasi dyshohet për disa vepra penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë ose ankande publike, grupin e strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK-u ka urdhëruar sekuestrimin e 52 pasurive dhe llogarive bankare, me vlerë mbi 40 milionë euro. Pasuritë lidhen me Karçanajn, Agasin, Beqirajn dhe persona të tjerë.
Mes pasurive të sekuestruara janë banesa në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, troje, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe një jaht.
Operacioni i SPAK-ut është ende në zhvillim.
Krahas Hysenit, po ushtrohen kontrolle edhe ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili është paraqitur në SPAK të martën në mëngjes. Hetimet përfshijnë edhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit.
Për këto zhvillime nuk ka pasur ende reagim nga Qeveria e Shqipërisë.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar që presidenti Bajram Begaj të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, reagoi duke thënë se aksioni i SPAK-ut dëshmon, sipas tij, për përfshirjen e strukturave shtetërore në veprimtarinë e krimit të organizuar.
“SHISH dhe Policia e Shtetit nën shërbimin e krimit të organizuar”, shkroi Bardhi.

