Në Qendrën e Zhvillimit “Agim Lluka” u mbajt dita e dytë e aktivitetit të organizuar nga Shtëpia Botuese “Dukagjini”, me qëllim promovimin e lektyrave shkollore përmes metodave interaktive dhe kreative.
Pas nxënësve të klasave të gjashta, këtë herë në fokus janë nxënësit e klasave të shtata nga shkollat fillore “Pavarësia”, “Faik Konica” dhe “Iliria”.
Aktiviteti është përqendruar në dy vepra të përfshira në programin shkollor të leximit: “Ditari i Anna Frankut” nga Anna Frank dhe “Dita e Xhufkave” nga Rifat Kukaj.
Në vend të një prezantimi tradicional të librave, nga Shtëpia Botuese “Dukagjini” kanë zgjedhur një qasje më ndryshe, duke e shndërruar leximin në një përvojë të kombinuar me lojën, bashkëpunimin dhe zgjidhjen e detyrave.
Një prej aktiviteteve kryesore është konceptuar si një mini “escape room”, ku nxënësit duhet të kalojnë nëpër disa hapa për të zbuluar elemente që lidhen me historinë dhe përmbajtjen e veprave.
Jeta Zymberi nga Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka treguar se kjo është dita e dytë e aktivitetit dhe se për klasat e shtata është përzgjedhur një format që synon ta zgjojë kureshtjen e nxënësve për librin.
“Kjo është dita e dytë. Dje e kemi pasë aktivitetin me klasë të gjashta, sot është me klasë të shtata. I kemi përzgjedhë disa lektyra shkollorë për këto klasa, me të cilat kemi zhvillu një aktivitet shumë më ndryshe se herave të tjera. Është një mini ‘escape room’. E kemi vërejtë që fëmijët e kanë marrë me shumë entuziazëm, e kanë përjetu këtë lojë edhe kanë shfaqë gjithë kreativitetin e tyre dhe janë angazhuar në mënyrë maksimale që me arritë me i zbulu hapat. Brenda atyre hapave është fsheh historia e këtyre librave, andaj kjo besoj është një formë kreative se qysh nxënësve me ju nxitë kureshtjen për me i shfletu ato libra dhe me i zbulu historitë që fshihen pas atyre faqeve. Po mendoj që ka qenë një aktivitet i qëlluar, një aktivitet që na ka sjellë rezultate të mira, edhe pse jo ta vazhdojmë edhe më tutje edhe në shkolla të tjera, po edhe në komuna të tjera”.
Pjesë e rëndësishme e aktivitetit është edhe puna me puzzle, ku nxënësit në grupe duhet të rindërtojnë ilustrime të lidhura me veprat.
Përmes kësaj metode, ata jo vetëm që argëtohen, por detyrohen të komunikojnë mes vete, të ndajnë detyrat dhe të përdorin mendimin kritik për të arritur te zgjidhja.

Një nxënës ka treguar se grupi i tij është duke punuar në puzzle dhe se deri tani kanë arritur të plotësojnë një pjesë të konsiderueshme të tij.
“Për momentin jemi duke e zgjidhur puzzle-n dhe jemi duke punuar mirë, mendoj. Kemi zgjidhur pjesën lart dhe pjesën anësore kryesisht, vetëm na duhet me gjetë pjesën pak më në të majtë.”
Një tjetër nxënës ka vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit, duke treguar se puna ekipore i ka ndihmuar të përparojnë në aktivitet.

“Grupi im ishte në fillim pak më mbrapa, por pastaj, duke vazhduar me hapa të ndryshëm, filluam të punojmë si ekip bashkë dhe filluam të punojmë sa më mirë. Mendoj që e kemi bërë aktivitetin shumë mirë. Disiplina ka qenë shumë e mirë dhe mendoj që aktiviteti i ‘Dukagjinit’ është realizuar shumë mirë dhe i falënderoj shumë.”
Për një tjetër pjesëmarrës, zgjidhja e puzzle-it është një mënyrë për t’iu afruar përmbajtjes së librit dhe për të zbuluar ilustrimin e veprës “Dita e Xhufkave”.
“Jemi duke zgjidhur hap pas hapi puzzle-n për të krijuar ilustrimin e ‘Ditës së Xhufkave’. Është shumë e thjeshtë, por pa bashkëpunim do të jetë shumë e vështirë”.
Aktiviteti nuk është kufizuar vetëm te loja. Nxënësit kanë diskutuar edhe për libra dhe vepra të ndryshme, ndërsa puzzle-ja është përdorur si një prej hapave të një procesi më të gjerë, përmes të cilit ata angazhohen drejtpërdrejt me përmbajtjen.
“Leximi përmes lojës” është vlerësuar pozitivisht edhe nga mësimdhënësit.

Arsimtarja e Gjuhës Shqipe nga shkolla fillore “Pavarësia” ka theksuar se metoda të tilla ndihmojnë në zhvillimin e imagjinatës dhe të mendimit kritik te nxënësit.
Ajo ka vënë në dukje se nxënësit duhet të nxiten që përmbajtjen e librave ta komentojnë edhe përmes figurave dhe mënyrave kreative, në mënyrë që leximi të mos mbetet vetëm në nivelin e asaj që ata shohin dhe lexojnë.
Sipas saj, iniciativa të tilla do të ishte e dobishme të organizoheshin edhe nga shtëpitë e tjera botuese, ndërsa rëndësi duhet t’i kushtohet edhe pasurimit të programit me tituj të rinj.

Në këtë mënyrë, aktiviteti i “Dukagjinit” synon që leximin ta paraqesë jo vetëm si një detyrë shkollore, por si një proces përmes të cilit nxënësit mund të eksplorojnë, bashkëpunojnë dhe krijojnë.
Përmes kombinimit të librave me lojën, puzzle-t, diskutimet dhe punën në grupe, nxënësit po krijojnë një lidhje më aktive me veprat letrare. Në vend që të jenë vetëm lexues, ata bëhen pjesëmarrës në zbulimin e historive që fshihen pas faqeve të librave.
Shtëpia Botuese “Dukagjini” synon që këtë format ta shtrijë edhe në shkolla dhe komuna të tjera, me qëllim që nxitja e leximit te fëmijët të bëhet përmes qasjeve më bashkëkohore dhe tërheqëse. /Telegrafi/

