Përfshirja e grave në kultivimin e bimëve mjekuese dhe aromatike nuk ka qenë një proces i lehtë për themeluesen e “99 Lule”, Havushe Bunjaku.
E ftuar në episodin e shtatë të podcastit “Rrugëtimi”, Bunjaku ka treguar se në fillim kishte edhe dyshime nëse gratë do ta shihnin këtë punë si një mundësi për të krijuar të ardhura.
Sipas saj, një prej vështirësive lidhej edhe me faktin se shumë prej grave tashmë kishin punuar gjatë në bujqësi, por puna e tyre nuk kishte dalë në pah.
“E leje më te gratë, shumë kam pas dyshime, sepse ka pas edhe nga ato që kanë m’kanë thanë drejtpërdrejt: ‘Jo unë erdha me ndihmu me gjet një punë diku në Prishtinë, se unë për mu marr me bujqësi, mu shpirti mka dal prej bujqësisë, nuk du me dëgju ma për bujqësi’, sepse realisht, gratë kanë punu shumë në bujqësi. Edhe hala punojnë, po nuk del në pah puna e tyre. Qëllimi ka qenë me dalë në pah puna e grave”, ka rrëfyer Bunjaku.
Për t’i bindur, ajo kishte zhvilluar edhe takime drejtpërdrejt nëpër fshatra.
“Ka pasë edhe unë që kam shku dhe kam lyp një takim me një fshat me katër-pesë gra. Ju kam sqaru edhe prej tyre nëse njëra ka pranu me i pranu bimtë, me i marr e me i mbledh, e kam marrë ato si shembull që me ta shohin edhe tjerat, tana kyçen”, ka thënë ajo.
Sipas Bunjakut, një pjesë e rëndësishme e modelit ishte krijimi i kushteve që gratë të mund ta zhvillonin këtë veprimtari.
“Kom arrit që secilës grua me ja siguru kushtet e punës. Fillimisht ia kemi siguru fidanët, falë donatorëve ndërkombëtarë që i kemi pasë projektet me partneritet, sistemin e ujitjes, mos me pasë brengë gruaja për sistem të ujitjes, pastaj pajisjet, naj kultivator të vogël, rezervuar të ujit, me pasë grumbullimin e ujit, pajisje ku i marrin dhe i ruajnë bimë derisa t’i dorëzojnë pikën në qendrën tonë”, ka treguar ajo.
Por një prej momenteve që tregon më së miri sfidat me të cilat përballeshin disa prej grave lidhej me nënshkrimin e kontratave të bashkëpunimit.
Bunjaku ka treguar se “99 Lule” punon me kontrata, si për shkak të kërkesave të donatorëve, ashtu edhe për të krijuar siguri për palët.
“Kur kemi ardh me i nënshkru kontratat, ka pas shumë herë që gratë nuk kanë pranu me nënshkru kontratën, se kanë përtu me lexu. Edhe ka thënë: ‘A më lejon ta diskutoj me familje?’ Edhe kur ma ka ofru, aty ka nënshkru burri. Domethënë nënshkrimin e burrit… pra burri në këtë rast ka vendos”, ka rrëfyer ajo.
Bunjaku thotë se në raste të tilla nuk e ndërprisnin bashkëpunimin, por përpiqeshin që në kontratat e ardhshme të përfshihej edhe vetë gruaja.
“Asnjëherë nuk e kemi refuzu, sepse aty tani u prishke bashkëpunimi. Por thojsha tani kontratat me bo tjetër që nënshkroni të dytë. Në shumë raste, para meje ka nënshkru burri… atëherë kam thënë: ‘OK, tash edhe zonja le ta nënshkruan, që të jeni të dytë’”, ka deklaruar ajo.
Rezultati i punës, sipas saj, u bë më i dukshëm kur gratë filluan t’i merrnin pagesat e para.
“Po kur i kanë marrë parët, natyrisht që ka qenë kënaqësi se i kanë ditë i kanë parët e veta. I kanë marrë me mundin e vet, me duart e veta, me punë të ndershme dhe u fuqizu. Përveç pareve u fuqizu edhe në familje, se ndryshe vlen pastaj edhe ndryshe dëgjohet zani i asaj gruaje, po asnjëherë pa shkaktuar telashe”, ka thënë Bunjaku.
Me kalimin e kohës, sipas saj, në këtë aktivitet janë përfshirë më shumë edhe familjet.
Sot, “99 Lule”, sipas Bunjakut, ka mbi 75 gra me kontrata të rregullta bashkëpunimi.
Rrëfimin e plotë të Havushe Bunjakut për biznesin, gratë dhe zhvillimin e “99 Lule” mund ta ndiqni në episodin e shtatë të podcastit “Rrugëtimi”. /Telegrafi/
