Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve në lidhje me ndarjen e vauçerëve për klima inverter për mbi 500 familje, deklaroi:
“Ky është edhe një projekt që e realizoi Qeveria, e që ka të bëjë me dhurimin e pajisjeve inverter për 500 familje që, sipas statusit të tyre social, i plotësojnë kushtet për të kondicionuar hapësirat e tyre të banimit. Në këtë rast, ja, meqë po afrohet sezoni i ngrohjes, për t’i ngrohur. Dhe kjo është pjesë e projekteve dhe politikës së Qeverisë për të mbështetur projekte të këtij lloji. Kjo është gjithashtu në drejtim të luftës për uljen e emisionit të grimcave të dëmshme, pra ndotjes. Kështu që ne do të vazhdojmë edhe më tej t’i zbatojmë këto projekte.”
Sipas Mickoskit, projekti synon jo vetëm të ndihmojë familjet në nevojë, por edhe të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjen e mjedisit.

