Një konflikt i nisur pas dhunimit të një të mituri ka përshkallëzuar situatën në një lokal në fshatin Gomsiqe e Re në Shkodër, ku dy të rinj janë shfaqur të armatosur me kallashnikov dhe pistoletë.
Ngjarja ka ndodhur më 6 shtator. Në pamjet e publikuara nga avokati Arben Llangozi, shihet një automjet që ndalon pranë lokalit, ndërsa prej tij zbresin dy persona dhe hyjnë në ambientet e lokalit.
Njëri prej tyre mban në dorë një kallashnikov, ndërsa tjetri është i armatosur me pistoletë. Në video, i riu me kallashnikov shihet duke biseduar me një person brenda lokalit, ndërsa personi tjetër afrohet te një klient jashtë dhe e dhunon.
Pas përplasjes, klienti tenton të largohet, por në një moment i riu me pistoletë ia drejton armën në drejtim të tij. Fatmirësisht, arma nuk është përdorur.
