Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur për mundësinë e rikthimit të Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës, në rast të lirimit të tij nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në “Rubikon”, Musliu tha se në rrethana normale, kthimi i Thaçit në Kosovë pas një lirimi do të duhej të shoqërohej me një akt solemn dhe unanim nga skena politike dhe sipas saj, të zgjidhje president.
“Ta jem komplet e sinqertë edhe me ju edhe me teleshikuesit. Në rrethana normale, një shtet normal që e di vlerën e shtetit, vlerën e historisë, peshën institucionale, vetë fakti që presidenti Thaçi e lëshon Presidencën, del në konferencë për shtyp, jep dorëheqje, shkon paraqitet në organet e drejtësisë, bashkëpunon me organet e drejtësisë, shkon në Hagë, do duhej një shtet normal që minimalisht ta përmbushte një akt, gati solemn, dhe unanimisht me dal si sferë politike dhe me thënë që po, do të zgjidhet Hashim Thaçi president më 16, kur ai ta shkelë tokën e Kosovës i lirë”, u shpreh Musliu.
Ajo theksoi se, sipas saj, Kosova aktualisht nuk po funksionon si një shtet normal dhe se për këtë arsye mbetet vetëm pritja për zhvillimet në Hagë.
“Në rrethanat që jemi aktualisht dhe duke e pasur parasysh që ne nuk jemi duke funksionuar si një shtet normal, fatkeqësisht, dhe këtë duhet ta themi dhe ta pranojmë, unë them se krejt çka mundemi me bë është që ta presim 16 shtatorin me bindje e me besim të plotë e me shpresë të madhe që përfundimisht në atë Gjykatë të triumfojë drejtësia”, deklaroi ajo.
The post Musliu: Kur Thaçi të shkelë tokën e Kosovës i lirë, duhet të zgjidhet president appeared first on Gazeta Express.

