Sindikata e Policisë së Kosovës ka uruar të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës me rastin e 27-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Në një postim të publikuar më 6 shtator, Sindikata ka vlerësuar përkushtimin e vazhdueshëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në përmbushjen e misionit të tyre në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
Sipas Sindikatës, puna dhe angazhimi i pjesëtarëve të Policisë përfaqësojnë një shembull të profesionalizmit, përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
“Përkushtimi i tyre i palëkundur në përmbushjen e vizionit, misionit dhe vlerave të Policisë së Kosovës përbën një shembull të lartë të profesionalizmit, përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj shërbimit, rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në urimin e Sindikatës.
Tutje, Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur mirënjohje për të gjithë punonjësit, duke vlerësuar kontributin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve.
“Me respekt dhe mirënjohje, Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh urimet më të përzemërta për të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës, duke vlerësuar kontributin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve dhe vendit”, thuhet në urim.
Policia e Kosovës shënon sot 27-vjetorin e themelimit, ndërsa kjo ditë shënohet me aktivitete dhe urime për pjesëtarët e institucionit që kujdeset për rendin dhe sigurinë publike në vend. /Telegrafi/
