Franca ka njoftuar të premten një paketë ndihme prej më shumë se 1 miliard eurosh për fermerët, pasi valët rekord të të nxehtit dhe thatësirat gjatë këtij sezoni kanë shkaktuar dëme të mëdha në të mbjella, kullota dhe furnizimet me ujë.
Ministrja franceze e Bujqësisë, Annie Genevard, tha se rreth 520 milionë euro do të shpërndahen në formën e pagesave të shpejta për të ndihmuar fermerët të përballojnë dëmet e shkaktuara nga kushtet ekstreme atmosferike.
Sindikata kryesore e fermerëve në Francë, FNSEA, vlerëson se humbjet në prodhim kanë arritur tashmë në të paktën 10 miliardë euro. Sektorët e blegtorisë dhe bujqësisë kanë vlerësuar veçmas humbjet e tyre në më shumë se 5 miliardë euro secili.
Sipas Genevard, rreth 30 mijë deri në 35 mijë ferma ndodhen në vështirësi financiare.
Paketa përfshin gjithashtu një fond prej 235 milionë eurosh për rimëkëmbje, që do t’u mundësojë fermerëve të blejnë fara, bimë dhe ushqim për kafshët pas dëmeve të shkaktuara nga thatësira. Masat e tjera përfshijnë lehtësime në taksën e tokës, ndihmë për pagesat e sigurimeve shoqërore dhe subvencionim të karburantit.
Ministria franceze e Financave ka paralajmëruar se moti i thatë dhe i nxehtë mund të ulë me 0.1 pikë përqindjeje rritjen ekonomike të Francës këtë vit, kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave nga bujqësia.
Ndërkohë, një tjetër valë e të nxehtit pritet të godasë këtë javë Francën, prodhuesin më të madh bujqësor në Bashkimin Evropian.

