Me një koncert solemn është shënuar 10-vjetori i shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Në koncert interpretuan Kori i Katedrales së Prishtinës, nën drejtimin e motrës së nderit Lidvina Marku, së bashku me mysafirin kryesor, organistin titullar të Bazilikës Papale të Shën Pjetrit në Vatikan, Josep Sole Coll.
Pjesë e programit ishin edhe sopranoja Arta Jashari dhe tenori Jon Haliti.
Kori interpretoi vepra të Bachut, Peroit, Bartoluccit, Miserachsit dhe kompozitorëve të tjerë, ndërsa mbrëmja u shoqërua edhe me një dokumentar kushtuar jetës së Nënë Terezës.
Famullitari i Katedrales “Shën Nënë Tereza”, Don Agim Qerkini, tha se ky përvjetor është një mundësi për të reflektuar mbi figurën dhe mesazhin e shenjtores.
Sipas tij, shembulli i Nënë Terezës duhet të shërbejë si nxitje për të kontribuar për paqen dhe mirësinë në shoqëri.
“Sonte, përveç faktit që i bëjmë një pyetje vetes çfarë kemi mësuar dhe si e kemi përjetuar Nënë Terezën shenjtëreshë gjatë këtyre viteve, provojmë edhe ne ta ndjejmë atë sonte të gjallë në mesin tonë, por edhe si një nxitje që të mund të ndjekim shembullin e saj. Duke u bërë të dritës dhe të paqes në vendin tonë, sonte maestro Josep Solé Coll, organist i Bazilikës Papale të Shën Pjetrit në Vatikan, është me ne. Për sa i përket biografisë së tij, dëshiroj të theksoj vetëm disa gjëra: i lindur në Sabadell të Spanjës, ka studiuar gjatë gjithë jetës së tij muzikën, pastaj akademinë muzikore dhe më pas u specializua për organo në Konservator dhe ka vazhduar studimet në Romë, ku ka përfunduar masterin për organo. Është një nder ta kemi këtu, pasi ai të sjell vepra të ndryshme të periudhave të ndryshme të zhvillimit të kësaj kulture dhe të këtij arti që është pjesë e jetës kulturore në nivel bote. Ai ka shërbyer në kisha të rëndësishme në Spanjë dhe në Romë, dhe tani mban pozitën e rëndësishme të organistit të parë të Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë”, tha Qerkini.
Ai rikujtoi se Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup në vitin 1910 dhe në moshën 18-vjeçare u largua nga shtëpia, fillimisht drejt Irlandës e më pas drejt Indisë.
Ndërkaq, organisti i ftuari kryesor i kësaj mbrëmjeje Josep Sole Coll theksoi se këto nuk janë vetëm koncerte për të dëgjuar art, por janë një moment lutjeje.
“Jam veçanërisht i lumtur që jam këtu, sepse ky lloj koncertesh është ai që më pëlqen mua sepse, në njëfarë mënyre, kanë bërë të mundur këtë ngjarje të madhe. Dhe jam veçanërisht i lumtur që jam këtu, sepse ky lloj koncerti nuk është vetëm një koncert, por është edhe një celebrim, një moment lutjeje, sepse edhe ne, përtej vokacionit tim me Kapelën Sistine. Koncertet tona duhet të jenë një moment meditimi dhe ungjillëzimi”, tha ai.
Ndërkaq, nesër në ora 11:00, do të mbahet celebrimi solemn kushtuar Shën Nënë Terezës, i cili do të udhëhiqet nga Sh. T. Mons. Italo Dell’Oro, përfaqësues i Konferencës Ipeshkvore në SHBA.
Koncerti u mbajt në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10-vjetorit të shenjtërimit të Shën Nënë Terezës.

