Ani pse për shumë kë afati i fundit për konstituimin e Kuvendit ishte 7 gushti, pra 30 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tek sot njoftoi se ka thirrur vazhdimin e kësaj seance, më 9 shtator.
Kryesuesi, seancën fillimisht e caktoi me 6 gusht, porse e njëjta u shty me kërkesë të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili për dy herë radhazi kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje me partitë e tjera për çështjen e presidentit.
Këto veprime të VV’së e Deharit, u kundërshtuan nga partitë e tjera, më zëshëm nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, të cilat, për disa herë shkuan në sallën e parlamentit nga ku bënin thirrje që kuvendi të konstituohet dhe të mos shkelet Kushtetuta.
Megjithatë, këto kërkesa të partive hasën në ‘vesh të shurdhër’ të VV’së, e cila vazhdoi me qasjen e saj.
Ndër shumë herë ku partitë ishin prezentë, në një rast pati edhe përplasje mes deputetëve të PDK’së, Aleancës e VV’së, pikërisht për këtë çështje.
Nga deputetët e kësaj të fundit, pra Vetëvendosjes, u tha se, afati i konstituimit të kuvendit nuk përfundon me 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, por, 30 ditë pas thirrjes së parë të seancës konstituive.
Kështu ka deklaruar vetë deputetja e VV’së, Donika Gërvalla gjatë një ballafaqimi në Kuvend me opozitën.
“30 ditë kemi nga momenti kur është thirr seanca konstituive. Brenda këtyre 30 ditëve shumë, shpresoj që do ta gjejmë një zgjidhje. Sepse në fund të fundit e kemi obligim. Interpretimi i ynë është që nga thirrja e seancës deri në konstituim të Kuvendit janë 30 ditë… kështu që deri më 6 shtator”, kishte deklaruar Gërvalla gjatë përballjes me deputetët e PDK’së dhe Aleancës.
Pavarësisht kësaj, VV’ja e ‘shkeli’ edhe këtë interpretim të deputetes së saj. Pasi që, thirrja e seancës konstituive ishte bërë me 6 gusht, ndërsa thirrja për vazhdimin e saj është bërë për datën 9 shtator.
Për këtë pati reagime ditën e sotme, ku VV’ja u kritikua për ‘shkelje’ jo vetëm të Kushtetutës por edhe të fjalëve të veta. Një të tillë, e pati Muhamet Hamiti nga LDK’ja.
‘’Domethanë, mbas afatit të pasafatshëm kushtetues që e patën caktuar vetë. VV-ja nuk u përmbahet as ligjeve dhe Kushtetutës as fjalëve të veta. Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka mbaruar më 7 gusht 2026.”, ka shkruar ai në një reagim të sotëm.
Reagim kritik ka pasur edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i cili ka cilësuar si antikushtetuese seancën e thirrur nga Avni Dehari për datën 9 shtator.
“Edhe dy partitë e tjera, s’duhet të bëhen pjesë e kësaj shkelje kushtetuese. E Nxjerrjes së Kosovës nga binarët. Sot Kurti s’ka lënë rrugë për zgjidhje normale e kushtetuese. Ka mbyllur rrugët. Po dëshiron ta caktojë datën e zgjedhjeve vetë përmes shkeljeve. Sot në Kosovë nuk ka asnjë autoritet që nuk e shkel ligjin, përvec komunave. Vetë ky që e ka zaptu zyrën e kryeministrat. Unë e di që ka shumë njerëz që s’e kuptojnë rëndësinë jetike të respektimit të Kushtetutës”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Dehari, ka thënë se ftesën për vazhdim të seancës e bëri, duke u bazuar në marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje e LDK’së me kandidat për President, Bekim Sejdiun. /GazetaExpress
The post Seanca e 9 shtatorit, si u shkel edhe afati i “caktuar” nga VV për konstituimin e Kuvendit appeared first on Gazeta Express.

