Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Hoxha mori pjesë në takimin informal të Ministrave për Çështjet Evropiane në Dublin, ku në fokus ishte zgjerimi i BE-së, reformat dhe forcimi i kapaciteteve administrative.
Ministri theksoi se Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave dhe momentum-in e negociatave, ndërsa kërkoi më shumë koordinim me strukturat e Komisionit Evropian.
“Vullneti i fortë politik është i domosdoshëm. Ne po përparojmë në çdo çështje, në çdo sektor dhe përmes çdo reforme”, u shpreh Hoxha.
Ai pranoi se vijojnë të jenë sfidë forcimi i sundimit të ligjit, menaxhimi i mbetjeve dhe ujërave, cilësia e ajrit, infrastruktura mjedisore dhe siguria ushqimore.
“Këto sfida kërkojnë koordinim të fortë, angazhim afatgjatë dhe investime të konsiderueshme. Bashkëpunimi ynë duhet të bëhet më operacional, më konkret dhe më i qëndrueshëm”, tha ai, shkruan Euronews.al.
Hoxha kërkoi gjithashtu që ekspertët shqiptarë të lidhen më ngushtë me strukturat dhe proceset e punës së Komisionit Evropian, me qëllim forcimin e kapaciteteve administrative dhe njohjen më të mirë të funksionimit të institucioneve të BE-së.
“Ambicia jonë është e qartë, planet tona të punës janë realiste dhe vendosmëria jonë e fortë. Ne do të vazhdojmë të japim rezultate dhe presim të njëjtin angazhim nga Bashkimi Evropian”, përfundoi Hoxha.
The post Hoxha në Dublin: Shqipëria ka hyrë në fazë vendimtare për anëtarësimin në BE appeared first on Gazeta Express.

