Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lënë të kuptohet se mund të mos marrë pjesë në funeralin e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, i cili është planifikuar të mbahet të hënën në Beograd.
Vuçiç vizitoi të premten rajonin e Severnobaçkit, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. I pyetur nëse do të marrë pjesë në funeralin e Mlladiqit, presidenti serb iu referua vizitës zyrtare të presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, i cili pritet të qëndrojë në Serbi më 7 shtator.
“Të hënën dhe të martën kam një vizitë zyrtare të presidentit të Uzbekistanit, e planifikuar katër muaj më parë, gjatë gjithë ditës. A kam bërë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar që ajo të zhvillohet në mënyrë dinjitoze, serioze dhe të përgjegjshme? Kam bërë pikërisht këtë. Kaq mund t’ju them”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se kishte komunikuar me familjen e Mlladiqit, duke theksuar se organizimi i ceremonisë së varrimit ishte zgjedhje e familjes së tij.
Një tubim përkujtimor për Mlladiqin është paralajmëruar të mbahet në Beograd të shtunën, më 5 shtator, ndërsa varrimi i tij është planifikuar për të hënën, më 7 shtator, në Varrezat Topçider në Beograd.
The post Vuçiqi shmang përgjigjen për funeralin e Mlladiqit: Kaq mund t’ju them appeared first on Gazeta Express.

