Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka vlerësuar lart paraqitjen e sportistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i cilësuar ata si ndër ambasadorët më të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Gjini ka shprehur mirënjohje për të gjithë sportistët që e përfaqësuan Kosovën me “dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim”.
“Mirënjohje për sportistët që na përfaqësuan me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim të lartë ndaj atdheut. Një falënderim i veçantë dhe i përzemërt shkon për medalistët tanë: Donjeta Sadiku, Islam Selmani, Laura Fazliu, Kianoush Rostami, Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi, Shpati Zekaj, të cilët ngritën flamurin e Kosovës në mesin e flamujve fitimtarë të Lojërave Mesdhetare”.
Ai ka theksuar gjithashtu se suksesi në “Taranto 2026” merr rëndësi edhe më të madhe për faktin se Lojërat e ardhshme Mesdhetare, në vitin 2030, do të mbahen në Kosovë.
Gjini ka kërkuar që shteti të jetë më pranë sportistëve, duke investuar në infrastrukturë dhe duke siguruar financim adekuat për krijimin e një strategjie të qëndrueshme për zhvillimin e sportit.
Në fund, ai ka uruar sportistët kosovarë për sukseset e arritura dhe u ka dëshiruar triumfe të reja në të ardhmen.
The post Gjini vlerëson suksesin e sportistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” appeared first on Gazeta Express.

