“Çnjerëzimi i ‘të tjerëve’ ishte një hap kyç në procesin e përgatitjes së Serbisë për luftërat e viteve ’90. Në media, fillimisht kroatët dhe shqiptarët paraqiteshin si kërcënim ekzistencial për serbët, ndërsa më pas edhe myslimanët u bënë objekt i një propagande gjithnjë e më intensive. U krijua një narrativë në të cilën komunitete të tëra paraqiteshin si armiqësore, të rrezikshme dhe më pak të vlefshme. Kjo përgatitje ideologjike ishte hyrje në krimet që më pas u kryen në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë”, thotë për RTKLive kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
Të gjitha mediat botërore dhe rajonale më 27 gusht publikuan lajmin se i dënuari për gjenocid, Ratko Mlladiq, kishte vdekur në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, pasi kishte pësuar disa goditje në tru.
“Ishte oficer i ushtrisë së një tresheje brutale, e cila në planin politik drejtohej nga ish-presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq dhe ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, ndërsa ish-Jugosllavia po zhytej në masakra pas rënies së komunizmit”, shkruan mediat franceze.
E përditshmja parisiene ‘Le Monde’ shkruan se Ratko Mlladiqi ishte arkitekti kryesor ushtarak i projektit të “Serbisë së Madhe”.
“Mlladiqi nuk ishte arkitekti i politikës që çoi në gjenocid dhe krime masive, por zbatuesi i saj më i rëndësishëm ushtarak. Kjo, natyrisht, në asnjë mënyrë nuk e zvogëlon përgjegjësinë e tij individuale. Përkundrazi, roli i tij në zbatimin e kësaj politike ishte vendimtar”, thotë kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
Sipas saj, përgjegjësia për luftërat e viteve ’90 nuk mund të kufizohet vetëm te disa liderë ushtarakë dhe politikë që përfunduan para Tribunalit të Hagës.
“Në seancën e Kuvendit të Republikës Srpska, të mbajtur në mesin e majit të vitit 1992, Mlladiqi paralajmëroi hapur se realizimi i objektivave të përcaktuara të luftës nga udhëheqja serbe në Pale nënkuptonte – gjenocid. Me këtë ai tregoi qartë se ishte i vetëdijshëm për natyrën e politikës që duhej zbatuar dhe pasojat që ajo do të kishte.
Megjithatë, arkitektët kryesorë të kësaj politike nuk ndodheshin vetëm në Pale apo në shtabet e luftës; shumë prej tyre mbetën jashtë rrezes së drejtësisë dhe vazhduan të vepronin nga institucionet në Beograd – në qarqet akademike dhe kulturore, në strukturat e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe shërbimet e sigurisë, si dhe në aparatin politik dhe mediatik që krijonte bazën ideologjike për luftën.
Ajo luftë nuk filloi në vitin 1991 si një shpërthim i papritur i dhunës nacionaliste”, thotë Sonja Biserko.
KËTU mund ta lexoni intervistën e plotë.

