Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar pas emërimit të anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga u.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu, duke vlerësuar se përbërja e këtij institucioni ende nuk është kompletuar.
Sipas DnV-së, KQZ-ja aktualisht ka 10 nga 11 anëtarët që parashihen me Kushtetutë.
“U.D. e Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, sot, me emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk e ka përmbyllur përbërjen e plotë të këtij institucioni”, thuhet në reagimin e organizatës.
DnV ka kundërshtuar edhe arsyetimin se KQZ-ja mund të funksionojë me 10 anëtarë, duke thënë se një gjë e tillë nuk mund të përdoret si justifikim për moskompletimin e institucionit.
“Argumenti se KQZ-ja mund të funksionojë edhe me 10 anëtarë nuk mund të shërbejë si arsyetim për moskompletimin e saj”, thekson DnV.
Sipas kësaj organizate, Kushtetuta e përcakton qartë përbërjen e KQZ-së dhe respektimi i saj nuk duhet të varet nga vlerësimi nëse mungesa e një anëtari e pengon apo jo funksionimin e përditshëm.
“Prandaj, Demokracia në Veprim i bën thirrje U.D. Presidentes Albulena Haxhiu që pa vonesë ta përmbyllë procesin dhe ta kompletojë KQZ-në me anëtarin e njëmbëdhjetë. Emërimi duhet të bëhet në përputhje me modelin strikt të përfaqësimit të grupeve parlamentare, të zbatuar në praktikën institucionale deri në ciklin e fundit, ku grupet përfaqësohen fillimisht në mënyrë të barabartë dhe vendet shtesë plotësohen sipas radhës së grupeve më të mëdha”m .
The post DnV kritikon Haxhiun: E ka lënë KQZ-në me 10 nga 11 anëtarët që parashihen me Kushtetutë appeared first on Gazeta Express.

