Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku po i vazhdojnë diskutimet sot për të gjetur një emër konsensual për President të vendit.
Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës u futën në Kuvned para disa minutash.
Kurti tha se kanë “vullnetin e mirë” dhe “mundësitë reale” për marrëveshje.
“Tash po ecim përpara, siç po e shihni, dhe urojmë të arrijmë në një marrëveshje”, tha ai rrugës për në Kuvend.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi ka thënë se në rast të një marrëveshjeje me LDK-në, kryetari i kësaj partie duhet të garantojë për të gjitha votat.
“Ky është një dimension i rëndësishëm, ç’është e vërteta, për shkak edhe të zhvillimeve të brendshme në LDK, por unë nuk mund të flas, le të themi, për sjelljen individuale të deputetëve të LDK-së. Zoti Abdixhiku e përfaqëson LDK-në, zoti Kurti e përfaqëson Vetëvendosjen. As nuk i kemi kërkuar, ç’është e vërteta, sepse ne e trajtojmë formalisht si kryetar të LDK-së. I mbetet zotit Abdixhiku ta menaxhojë grupin e tij parlamentar dhe, në momentin kur dakordohet për emrin, e bëjmë marrëveshje, të garantojë, le të themi, edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje nga pozicioni i LDK-së”, ka thënë ai dje për KosovaPress.
Të mërkurën e javës së kaluar, bisedimet për Presidentin u përshkruan si “shumë të vështira” dhe “jo të lehta” nga të dyja palët, pas një takimi në darkë. Por Kurti dhe Abdixhiku thanë se kishin bërë “një hap përpara”.
Kurti dhe Abdixhiku sot po zhvillojnë takimin e tyre të katërt prej kur LDK-ja më 13 gusht hoqi dorë nga bisedimet për t’u përfshirë në bashkëqeverisje me LVV-në dhe nga kërkesa për pozitën e shefit të shtetit.
The post Sot po negociojnë përsëri për “Presidentin”, Kurti do garanci nga Abdixhiku për të gjitha votat e deputetëve të LDK-së appeared first on Gazeta Express.

