Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dhënë parashikimin e motit për fundjavë.
IHK për të shtunën ka parashikuar mot kryesisht me diell dhe vranësira të çrregullta.
Gjatë ditës, vranësirat do të dendësohen, duke krijuar kushte për zhvillimin e vranësirave konvektive, të shoqëruara me shkarkime rrufesh dhe reshje lokale shiu.
Nuk përjashtohet mundësia që reshjet të jenë të shkurtra dhe lokalisht të shoqërohen me erëra të përforcuara.
Temperaturat minimale do të jenë nga 12–17 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 28 deri në 34 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1–8 m/s. Në zonat ku zhvillohen vranësira konvektive mund të ketë përforcime të përkohshme të erës.
Kushtet biometeorologjike: Moti i ngrohtë gjatë ditës mund të shkaktojë ngarkesë të lehtë deri mesatare termike, veçanërisht gjatë orëve të pasdites. Në zonat me reshje dhe erëra të përforcuara, kushtet do të jenë përkohësisht më të freskëta.
Kushtet agrometeorologjike: Temperaturat e larta do të favorizojnë avullimin dhe humbjen e lagështisë nga toka. Prandaj, në parcelat bujqësore me lagështi të pamjaftueshme rekomandohet monitorimi i gjendjes së kulturave dhe ujitja sipas nevojës. Reshjet lokale mund të sjellin përmirësim të përkohshëm të lagështisë së tokës, por për shkak të karakterit lokal, shpërndarja e tyre mund të jetë e pabarabartë.
Indeksi UV: I lartë deri shumë i lartë (6–8) gjatë intervalit me rrezatim më të fuqishëm diellor. Rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve të mesditës.
Ndërkaq, për të dielën parashikohet mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë. Vranësira të pakta deri mesatare do të paraqiten kryesisht përreth relievit malor.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12–16 gradë, ndërkaq ato maksimale nga 29–33°C
Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1–4 m/s.
Kushtet biometeorologjike: Kushtet do të jenë përgjithësisht të favorshme, por gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, temperaturat e larta mund të shkaktojnë ngarkesë të lehtë termike, sidomos në zonat e ulëta.
Kushtet agrometeorologjike: Moti i ngrohtë dhe kryesisht i thatë do të favorizojë pjekjen dhe zhvillimin e kulturave bujqësore, por njëkohësisht do të rrisë kërkesën për ujë. Rekomandohet monitorimi i lagështisë së tokës, veçanërisht në kulturat që ndodhen në fazat e zhvillimit aktiv.
Indeksi UV: I lartë deri shumë i lartë (6–8) gjatë orëve të mesditës. Rekomandohet mbrojtja nga ekspozimi i drejtpërdrejtë dhe i zgjatur ndaj rrezatimit diellor.
Tendenca për fillimin e shtatorit
Temperatura të larta priten edhe gjatë dhjetëditëshit të parë të shtatorit. /Telegrafi/

