Një sundimtar tradicional ugandez, i cilësuar si monarku më i ri në botë, ka vdekur në moshën 34-vjeçare, njoftoi kryeministri i tij.
Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV u bë mbret i Tooros, në Ugandën perëndimore, në moshën vetëm trevjeçare, në vitin 1995, pas vdekjes së babait të tij, raporton BBC.
Mbretëria e Tooros nuk bëri të ditur shkakun e vdekjes së mbretit Oyo, por një ministër i qeverisë ugandeze u citua nga mediat lokale të ketë thënë se ai kishte qenë në gjendje kritike shëndetësore dhe po kërkonte trajtim në SHBA.
Edhe pse Uganda qeveriset nga një president dhe një parlament të zgjedhur, vendi ka disa mbretëri tradicionale, të cilat vazhdojnë të kenë ndikim të rëndësishëm kulturor, pavarësisht se nuk kanë pushtet politik.
Oyo, të cilin Guinness World Records e kishte renditur si monarkun më të ri në botë në fuqi, sundonte mbi më shumë se dy milionë njerëz. Ai ishte monarku i 13-të i një mbretërie të themeluar në fillim të shekullit XIX.
Duke njoftuar vdekjen e tij, kryeministri i Tooros, Calvin Armstrong Rwomiire Akiiki, e cilësoi të enjten ndarjen e tij nga jeta si një “humbje të pallogaritshme” për familjen mbretërore dhe popullin e Tooros.
“U bëj thirrje të gjithë njerëzve të Tooros që të qëndrojnë të bashkuar, të qetë dhe në lutje gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë”, tha Akiiki të premten. “U prehtë Madhëria e Tij, Mbreti, në paqe të përjetshme.”
Mbretëria e Tooros ndjek një sistem trashëgimor në përzgjedhjen e monarkut.
Oyo nuk ishte martuar zyrtarisht, por Akiiki tha se “vazhdimësia e Kurorës është e garantuar”.
“Madhëria e Tij lë pas një Princ si trashëgimtar, identiteti i të cilit do të bëhet publik zyrtarisht në kohën e duhur, në përputhje me traditat dhe zakonet e Mbretërisë së Tooros”, shpjegoi ai.
Kur u bë mbret në vitin 1995, u krijua një regjencë, ku përfshihej edhe nëna e tij, mbretëresha nënë. Kjo vazhdoi deri kur Oyo mbushi 18 vjeç, kur u zhvillua kurorëzimi i tij zyrtar.
Mbreti i ri gëzonte respekt të madh nga populli i tij dhe, sipas një raporti të gazetës Daily Monitor, ai promovonte kauza të tilla si fuqizimi i të rinjve, arsimi dhe mbrojtja e klimës, si dhe ndërgjegjësimi për HIV/AIDS.
Mbretëria e Bugandës, institucioni tradicional më i madh dhe më me ndikim në vend, tha se vajtonte së bashku me popullin e Tooros pas vdekjes së monarkut të tyre, duke e cilësuar atë një figurë të çmuar për Ugandën.
Po ashtu, Mbretëria e Rwenzururut i shprehu ngushëllimet “të gjithë atyre që vajtojnë këtë humbje të madhe”, sipas raportimeve të mediave lokale.
Edhe të tjerë kanë shprehur respektin e tyre për mbretin e ndjerë.
Federata e Shoqatave të Futbollit të Ugandës e nderoi mbretin Oyo si “një mik të vërtetë të lojës së bukur” dhe njoftoi se, në kujtim të “trashëgimisë, dashurisë, pasionit dhe kontributit” të tij në sport, do të mbahet një minutë heshtje para fillimit të të gjitha ndeshjeve deri më 4 shtator.
Ministrja e qeverisë, Margaret Muhanga, e përshkroi atmosferën në mbretëri si “të zymtë… nuk mund të shohësh askënd duke buzëqeshur”.
Mbreti ishte “në kulmin e jetës së tij”, tha ajo në një video të publikuar në rrjetet sociale, duke shtuar se, “pavarësisht sa i ri ishte, ai kishte një ndikim të madh në mbretërinë e tij”.
Muhanga tha se gjatë periudhës së zisë do të mbilleshin një milion pemë në nder të tij dhe se ajo dëshironte t’u kërkonte edhe distrikteve fqinje në Tooro të bënin të njëjtën gjë.
Muzikantja ugandeze Juliana Kanyomozi e cilësoi këtë si “një ditë shumë të errët për Tooron”, në një postim në Instagram. “U largua shumë shpejt. Çfarë humbjeje!!!!”
Ndërkohë, ylli i muzikës pop, i kthyer më vonë në politikan, Bobi Wine, uroi që “shpirti i mbretit Oyo të prehet në paqe të përjetshme”.
The post Ishte mbret nga mosha 3 vjeçare, vdes monarku tradicional më i ri në botë në moshën 34-vjeçare appeared first on Gazeta Express.

