Një i mitur, 14-vjeçar, ka ndërruar jetë pasi dyshohet se është therur me thikë në Prizren, gjatë natës së 27 gushtit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 23:45.
“Më datën 27 gusht 2026, rreth orës 23:45, Policia ka pranuar informatën për një incident në Prizren, ku një i mitur ishte therur me thikë”, ka deklaruar Bytyqi.
Sipas tij, patrulla policore i është përgjigjur rastit dhe në vendngjarje ka hasur ekipin e Emergjencës, i cili i kishte dhënë ndihmën e parë viktimës.
14-vjeçari është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejmë, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, raporton kp.
“Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, viktima nuk ka arritur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë”, ka deklaruar Bytyqi.
Dyshohet se i mituri ka marrë plagë nga therja me thikë në pjesën e qafës. /Telegrafi/

