Veprimtari Ibrahim Kelmendi, në pjesën e dytë të emisionit Debat Plus, në kuadër të ciklit “Dosjet”, ka reaguar ndaj deklaratave dhe materialeve të cituara nga dosjet e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, ku ai përmendet në lidhje me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Gjatë emisionit, moderatori Ermal Panduri lexoi një pjesë të një deklarate që i atribuohet Suzana Gërvallës, ku thuhet se në radhët e shqiptarëve në Perëndim kishte agjentë të UDB-së dhe se “tradhtia është brenda”. Në këtë pjesë përmendej edhe Ibrahim Kelmendi dhe thuhej se ai kishte pasur kontradikta me Jusuf Gërvallën dhe se një natë para vrasjes kishte ardhur nga Zvicra bashkë me Kadri Zekën.
Kelmendi i mohoi këto pretendime.
“Për këto shpifje ordinere nuk kam përgjigje. Nuk janë fjalë të Suzanës, sepse ajo nuk do t’i thoshte pasaktësitë që i përmban ky citim”, tha Kelmendi.
Ai sqaroi se kishte qenë student në Gjermani deri në vitin 1982, por ishte detyruar t’i ndërpriste studimet pasi kishte kërkuar azil politik.
“Po, ndonjëherë kisha kontradikta me Jusufin, por asnjëherë nuk kanë qenë të atij niveli, sa të ishin shkak për ndërprerje të bashkëveprimtarisë apo armiqësi”, deklaroi ai.
Kelmendi tha se kishte folur vazhdimisht për praninë e spiunëve të UDB-së në radhët e veprimtarëve shqiptarë, por se, sipas tij, nuk kishin pasur kapacitete për t’i identifikuar dhe izoluar të gjithë.
Kelmendi mohon se ishte në Kosovë pas vrasjeve
Panduri i lexoi Kelmendit edhe një pjesë tjetër të dosjes, ku pretendohej se gjatë një bisede me të ishte thënë se ai kishte “dorë” në vrasjen e Jusuf Gërvallës dhe se pas vrasjeve të Gërvallajve dhe Kadri Zekës kishte qenë në Kosovë.
Kelmendi i quajti edhe këto pretendime “shpifje ordinere”.
“Nuk më kujtohet kjo bisedë dhe as që ka ndodhur, meqë në një debat të tillë nuk do ta bëja me të tillë pisa. Do kusuritesha me ta aty për aty”, tha ai.
Kelmendi mohoi kategorikisht se kishte qenë në Kosovë pas vrasjeve.
“Për herë të parë në Kosovë kam hy rreth një javë pas çlirimit. Hera e fundit që isha në Kosovë ishte shtatori 1979”, deklaroi ai.
Ai u bëri thirrje personave që, sipas dosjeve, pretendohet se kanë pasur informacione për praninë e tij në Kosovë, që të dalin publikisht.
“Mirë do të kishte qenë që individët e maskuar me shifra e iniciale të dalin hapur që të ballafaqohemi”, tha Kelmendi.
Kelmendi tregon lëvizjet e tij më 16 dhe 17 janar 1982
I pyetur se si e shpjegon datën e 16 dhe 17 janarit 1982, Kelmendi e përshkroi kronologjinë e lëvizjeve të tij dhe të Kadri Zekës.
Sipas tij, Kadri Zeka kishte ardhur më 15 janar 1982 për vizitë në Düsseldorf dhe natën e kishin kaluar te Sylë e Vezire Nuha.
Mëngjesin e 16 janarit, sipas Kelmendit, Jusuf Gërvalla i kishte ftuar të shkonin te Murat Kryeziu, afër aeroportit të Shtutgartit.
“Aty bashkë me rreth 20 bashkëveprimtarë, kemi qëndrua deri rreth orës një pas mesante. Jusufi e Bardhoshi na kanë marrë mysafirë”, tha ai.
Kelmendi tha se ai dhe Sylë Nuha kishin qëndruar deri rreth orës 15 të 17 janarit, ndërsa rreth orës 20 kishte qenë në një klub në Düsseldorf, ku ishte shfaqur një dramë televizive.
“Të pranishëm në Klubin tonë ishin mbi 50 veta. Pas dramës kemi diskutuar. Hyzri Reka më ka marrë mysafir, meqë banonte afër klubi dhe vazhdonte me qenë singel. Aty, pasi jemi shtri për të fjetur, na ka ardhur lajmi i kobshëm për vrasjet”, deklaroi Kelmendi.
Për marrëdhëniet me Jusuf Gërvallën
Kelmendi foli edhe për dokumentet ku, sipas Pandurit, Jusuf Gërvalla herë e kishte trajtuar si bashkëpunëtor të afërt dhe herë kishte shprehur mosbesim ndaj tij.
Kelmendi tha se ndërprerja e marrëdhënieve mes tyre kishte ndodhur në korrik të vitit 1980, pas një incidenti që ai e cilësoi si rastësor.
“Ndërpreje marrëdhëniesh kishim në korrik 1980, pas një incidenti rastësor”, tha ai.
Sipas Kelmendit, ajo ndërprerje kishte zgjatur vetëm disa javë dhe kishte ardhur pasi Jusuf Gërvalla kishte dyshuar se ai dhe të tjerë kishin shkuar në Munih për ta survejuar.
Ai foli edhe për një raport të datës 31 korrik 1981, të cilin e konsideroi të kompiluar dhe tha se e kishte trajtuar në librin e tij “Gjurmë dhe fërkemë”, botuar në Prishtinë në vitin 2019.
Kelmendi tha se, pavarësisht dallimeve ideopolitike dhe debateve që kishte pasur me Gërvallën, ato nuk nënkuptonin armiqësi mes tyre.
“Asnjëherë nuk e kam heshtur faktin se kishim dallime me Jusufin, sa u përket mendësive ideopolitike dhe kishim ndonjëherë debate edhe grindavece”, tha ai.
Kelmendi shtoi se, sipas tij, ndërprerja e marrëdhënieve kishte qenë e përkohshme dhe se bashkëpunimi mes tyre kishte vazhduar më pas.

