Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka deklaruar se OMLK-ja, LNÇKVSHJ-ja dhe FKP-ja janë bashkuar më 17 janar 1982, ndërsa ka thënë se në Gjermani nuk kishin pasur informacion për një marrëveshje të mëhershme mes LNÇKVSHJ-së dhe Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ).
Në pjesën e dytë të emisionit “Debat Plus”, në kuadër të ciklit “Dosjet”, Kelmendi tha se bashkimi i tri organizatave ishte bërë në agimin e 17 janarit 1982.
“Tri organizatat që i përmenda u bashkuan më 17 janar 1982”, tha Kelmendi.
Ai u pyet edhe për një dokument të shtetit shqiptar, sipas të cilit më 16 janar 1982, në Turqi, ishin bashkuar LNÇKVSHJ-ja, e drejtuar nga Sabri Novosella, dhe PKMLSHJ-ja, e drejtuar nga Abdullah Prapashtica.
Kelmendi tha se për këtë marrëveshje nuk kishin pasur informacion në Gjermani.
“Jo, atë informacion të ambasadës së Shqipërisë në Turqi nuk e kishim as nuk dinim gjë për të, kur e bëmë bashkimin”, deklaroi ai.
I pyetur nëse Jusuf Gërvalla kishte pasur dijeni më herët për ekzistencën e PKMLSHJ-së, Kelmendi tha:
“Nuk e ka përmend ndonjëherë ekzistencën e saj në praninë time.”
Kelmendi për datat e ndryshme të bashkimit
Kelmendi tha se përveç 17 janarit 1982, qarkullonin edhe data të tjera për bashkimet e organizatave.
Sipas tij, “bashkimet” e tjera mbanin datat 16 janar 1982, sipas Ambasadës shqiptare në Turqi, 17 shkurt 1982, sipas njoftimeve të Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës, si dhe 15 maj 1982, sipas një komunikate të Xhafer Shatrit.
Ai tha se mosmarrëveshjet mes Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës ishin përmbyllur në korrik 1983, kur, sipas tij, ishte marrë vendim për largimin e Prapashticës dhe disa bashkëpunëtorëve të tij nga LRSHJ-ja.
“Kishim tension gjatë ceremonisë trejavore mortore”
Kelmendi foli edhe për tensionet mes veprimtarëve pas vrasjes së Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
“Po, kishim tension gjatë ceremonisë trejavore mortore. Bile më shumë se tensione. Edhe jemi armiqësuar, sepse Nuhi Sylejmani e Xhafer Durmishi provokonin edhe grindje fizike”, tha ai.
Kelmendi tha se kishte dyshuar se UDB-ja po i detyronte Sabri Novosellën dhe Abdullah Prapashticën të simulonin grindje dhe armiqësi mes tyre.
“Ky duhej të ishte segment i planit për ta kap emigracionin revolucionar pas vrasjeve”, deklaroi ai.
Sipas Kelmendit, në fund të vitit 1983 ishte armiqësuar edhe Sabri Novosella me Xhafer Shatrin. Ai përmendi një incident në Gjenevë, ku, sipas tij, Novosella e kishte akuzuar Shatrin si “UDB-ash” pasi e kishte dëgjuar duke folur serbisht në telefon.
Kelmendi tha se më pas ishte detyruar të shkonte nga Gjermania për ta shoqëruar Novosellën nga banesa e Shatrit në Gjenevë.
Ai pretendoi gjithashtu se përplasjet mes grupeve kishin sjellë pasoja tragjike.
Kelmendi: “Ato bashkime” ishin komplot ndaj emigracionit patriotik
I pyetur pse bashkimi i organizatave nuk kishte funksionuar, Kelmendi tha se ai e kishte konsideruar këtë si komplot ndaj emigracionit shqiptar, ndonëse, sipas tij, kishte pretenduar se i mbështeste bashkimet për të mos lejuar që ato komplote të kishin sukses.
“Unë e kam kualifikuar atë si komplot ndaj Emigracionit tonë patriotik, edhe pse kam simuluar se isha dakord me ato ‘bashkime’, sepse nuk doja t’ua lejoja hapësirën që komplotet e tyre të kenë suksese asgjësuese”, tha Kelmendi.
Ai pretendoi se bashkimet ishin bërë që të mos funksiononin dhe se, sipas tij, kjo i shërbente goditjes së emigracionit shqiptar.
“Pra, ndodhën ato ‘bashkime’ për të mos funksionua, sepse ashtu goditej më efektivisht Emigracioni ynë patriotik”, deklaroi ai.
Kelmendi tha gjithashtu se Xhafer Shatri ishte larguar nga Lëvizja në fund të vitit 1985, pasi, sipas tij, ardhja e kuadrove të reja nga Kosova kishte ndikuar në autoritetin e tij komandues.
Pse shkoi Kelmendi në SHBA?
Kelmendi tregoi edhe për largimin e tij nga Gjermania dhe qëndrimin disa muaj në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 1982.
“Në qershor 1982 shkova në SHBA sepse isha i ftuar atje dhe doja t’u ikja grindjeve”, tha ai.
Sipas tij, mundësia financiare për udhëtimin u krijua nga ndihmat e bashkëshortëve Shefkat dhe Nexhmi Sherolli, të cilët, sipas Kelmendit, i kishin dhënë atij dhe bashkëpunëtorëve të tij 10 mijë korona suedeze secilit, si dhe 50 mijë korona për organizatën.
Kelmendi tha se këto mjete kishin ndikuar që Ambasada e SHBA-së në Bonn t’i jepte vizë në fund të qershorit 1982.
Gjatë qëndrimit në SHBA, ai tregoi për disa përplasje me bashkatdhetarë, përfshirë një incident me Haki Terpezën, të cilin tha se e kishte përballur pasi ky e kishte akuzuar si spiun të UDB-së.
Kelmendi tha se në një rast tjetër kishte marrë pjesë në “kongresin” e Vatrës në SHBA, por ishte larguar nga podiumi pa e lexuar fjalën përshëndetëse, pasi ishte irrituar nga ajo që ai e përshkroi si garë mes drejtuesve për lidhjet me zyrtarët jugosllavë.
Ai tha se gjatë qëndrimit në SHBA kishte marrë pjesë edhe në organizime të tjera të komunitetit shqiptar dhe se në nëntor të vitit 1982, sipas tij, manifestimet për festat e Nëntorit kishin mbledhur mbi 1 mijë persona.
Kelmendi tha se në mesin e dhjetorit 1982 ishte kthyer në Gjermani.
Ai hodhi poshtë pretendimet se kishte përvetësuar 50 mijë korona suedeze, duke thënë se ato mjete ishin dhënë për organizatën dhe jo për përdorim personal.

